Vritet sulmuesi palestinez që plagosi pesë izraelitë

by admin
Spread the love

Autoritete palestineze të shëndetësisë njoftuan se një palestinez u vra të martën nga forcat izraelite, pasi plagosi me armë zjarri pesë izraelitë në një qendër tregtare në vendbanimin Ma’ ale Adumim, në Bregun Perëndimor.

Shërbimet e urgjencës izraelite thanë se një prej 5 izraelitëve ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Zyrtarët izraelitë të shëndetësisë thanë se një izraelit në gjendje të rëndë i ishte nënshtruar operacionit.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje, të cilat agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti t’i verifikonte në mënyrë të pavarur, që tregojnë të shtrirë në tokë personin që kreu sulmin, i cili mbante veshur një jelek të verdhë.

Organizata militante Hamas, e cila qeveris Rripin e Gazës, tha se sulmi ishte përgjigje lidhur me veprimet e zyrtarëve izraelitë në vendin e shenjtë që njihet nga Izraeli si ‘Temple Mount” dhe nga palestinezët si pjesë e kompleksit të xhamisë Al-Aksa. Vendi i shenjtë ka qenë pjesë e tensioneve mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Sipas kanalit izraelit Channel 12, sulmuesi palestinez ishte qëlluar nga një polic që aktualisht nuk ishte në krye të detyrës.

Dhuna në Bregun Perëndimor, pjesë e territoreve ku palestinezët kërkojnë të vendosin shtetin e tyre, është përkeqësuar gjatë 15 muajve të fundit për shkak të bastisjeve izraelite dhe sulmeve në rrugë nga palestinezët./VOA


Top Channel

You may also like