VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e liderit të BDI-së – Shqip

by admin
Spread the love

Kovaçevski: Arritja e pasurisë nuk lidhet me moshën

VMRO – DPMNE kërkon dorëheqjen e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, për shkak të rastit me nipin e tij, Drin Ahmeti, i cili është bërë pronar i pjesshëm i qendrës tregtare “Soravia” në Shkup, njofton KlanM.

Gjatë seancës së sotme për pyetje deputetësh, deputeti i VMRO – DPMNE-së, Dragan Kovaçki pyeti kryeministrin se si është e mundur që një person në moshë aq të re  me kompani që punon me humbje, të ketë pronësi prej 39 % në objektin afarist Soravia.

Ai, sic percjell KlanM, pyeti nëse kryeministri do të kërkoj dorëheqjen e Ali Ahmeti dhe nëse do të kërkojë nga institucionet kompetente që të hapin procedurë kundër tij.

Por sipas kryeministrit, arritja e pasurisë nuk është e lidhur me moshën, megjithatë mënyra se si është arritur verifikohet në mënyrë institucionale

“Drejtoria për Zbulim Financiar duhet t’i bëjë të gjitha kontrollet, sikurse i bën për të gjitha transaksionet e tjera që kanë të bëjnë me shuma të këtilla. Gjithashtu, edhe Drejtoria për të Ardhura Publike dhe Regjistri Qendror, duhet të veprojnë në mënyrë adekuate gjatë një transaksioni të tillë. Nëse ka dyshime për prejardhjen e mjeteve financiare dhe nëse dëshmohet një gjë e tillë në procedurën përmes tre institucionet e para që i përmenda, atëherë edhe Policia Financiare duhet të kontrollojë rrjedhën e mjeteve financiare”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Por, Kovaçki iu kundërpërgjigj Kovaçevskit duke thënë se, institucionet nuk janë kredibile dhe kontrollohen nga pushteti.

“Janë institucionet e njëjta për shkak të së cilave na sjellin ekipe të huaja për luftë kundër korrupsionit, janë të njëjta për të cilat kemi çdo ditë nga një deklaratë nga ambasadorët për atë se, jemi fundosur në korrupsion. Institucionet janë të kapura, ju e dini shumë mirë këtë dhe për këtë, askush nuk ka besim në to, ndërsa fajin kryesor për këtë e bartni ju si kryeministër, pasi jeni kompetent për të gjithë ato”, deklaroi Dragan Kovaçki, deputet i VMRO-së.

Ndërkohë, në fillim të seancës kishte përplasje mes koordinatorit të VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski dhe deputetes së ASH-së, Ilire Dauti. Deputetja Dauti, sic njofton KlanM, kishte parashtruar 41 pyetje me shkrim, shumica prej të cilave kishin të bënin me procedurën për marrjen e nënshtetësisë. Për këtë, Micevski akuzoi Dautin se, në këtë mënyrë po tenton të shpëtojë pushtetin i cili, sipas tij, dëshiron t’iu shmanget pyetjeve të deputetëve./KlanMacedonia

You may also like