VJENË – Shefi i IAEA-s viziton Rusinë për të diskutuar centralin bërthamor të Zaporizhias

by admin
Spread the love

MOSKË, 22 qershor /ATSH-DPA/ – Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi ka planifikuar të vizitojë nesër Rusinë për bisedime lidhur me centralin bërthamor ukrainas në Zaporizhia, i cili aktualisht kontrollohet nga trupat ruse.

“Një takim midis Grossi dhe Alexei Likhachev, kreut të agjencisë bërthamore të Moskës Rosatom, është planifikuar në rajonin e Detit Baltik të Kaliningradit”, njoftoi sot zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov.

IAEA nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen në takim.

Grossi vizitoi centralin në rajonin e rrezikuar të Zaporizhias, javën e kaluar pas shkatërrimit të digës Kakhovka.

Ai e cilësoi situatën të rëndë, por të qëndrueshme.

Centrali më i madh bërthamor në Evropë furnizohej me ujin e tij ftohës nga rezervuari Kakhovka, i cili është zbrazur pas shkatërrimit të digës.

Uji i freskët nevojitet për të ftohur reaktorët e çmontuar dhe mbetjet bërthamore.

IAEA-ja tha se ka ende rezerva të mjaftueshme uji në rezervuarët ftohës.

Megjithatë, IAEA-ja dhe organizatat e tjera janë të shqetësuara për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj zgjidhjeje të përkohshme në funksion të luftës.

Rusia ka refuzuar kërkesat e Ukrainës për dorëzimin e centralit.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like