GJERMANI – Numri i lindjeve në nivelin më të ulët që nga 2013-a

by admin
Spread the love

BERLIN, 2 maj /ATSH-DPA/ – Sipas të dhënave paraprake nga Enti Federal i Statistikave, në vitin 2023 numri i lindjeve dhe martesave në Gjermani ra në nivelin më të ulët të viteve të fundit.

Sipas të dhënave, vitin e kaluar në Gjermani kanë lindur rreth 693 mijë fëmijë, niveli më i ulët që nga viti 2013.

Numri është ulur me 6,2 për qind krahasuar me një vit më parë, kur kishte 738 819 lindje.

Në Gjermaninë Lindore, numri i lindjeve në vitin 2023 ra me 9,2 për qind në krahasim me vitin e kaluar, nga 86 227 në rreth 78 300, një rënie shumë më e madhe se në Gjermaninë perëndimore, ku numri i të porsalindurve ra me 5,9 për qind nga 616 860 në afërsisht 580 000.

Gjithashtu në vitin 2023 numri i martesave është ulur me 7,6% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në rreth 361 000.

Në vitin 2022 u martuan 390 743 çifte.

Sipas të dhënave, ky është numri i dytë më i ulët i martesave që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1950, pas atij të vitit 2021, kur ishte 357 785 dhe që u ndikua shumë nga kufizimet e vendosura pas pandemisë së koronavirusit.

Nga 361 000 martesa të regjistruara në të gjithë Gjermaninë, rreth 351 800 ishin midis një burri dhe një gruaje dhe 9 200 midis njerëzve të të njëjtës gjini.

Numri i martesave në Gjermaninë lindore gjithashtu ra më shumë se në Gjermaninë perëndimore, nga 56 971 në 2022 në rreth 51 800 në 2023.

Në perëndim numri ra me 7,4 për qind, nga 321 431 në rreth 297 700./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like