Vizat e arta, Greqia planifikon të rrisë sërish pragun e investimeve për të huajt

by admin
Spread the love

Greqia po planifikon të rrisë më tej pragun e investimeve për “vizat e arta” për të huajt deri në 800,000 euro për blerjen e pasurive të paluajtshme në qytete dhe ishuj ku kërkesa është e lartë, ka deklaruar në parlament kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Skema e “vizave të arta» filloi në vitin 2014, duke u dhënë të huajve një leje qëndrimi të rinovueshme pesëvjeçare në shtetin anëtar të BE-së, në këmbim të një investimi tek një pronë prej 250,000 eurosh në vend.

Vitin e kaluar, Greqia e ngriti pragun në 500,000 euro në lagje të caktuara të kryeqytetit Athinë dhe qytetit të tij të dytë më të madh të Selanikut, si dhe në ishujt Mykonos dhe Santorini, dy nga destinacionet e tij më të mëdha turistike duke arritur një shifër rekord investimesh. Sipas kreut të qeverisë  po konsiderohet që shuma për blerjen e një pasurie të palujtshme dhe si rrjedhim marrja e vizës së artë që lejon përveç  qëndrimit në Greqi, edhe udhëtimin në zonën Shengen,  të rritet më tej.

“Ajo që po diskutojmë me ministrin e Financave dhe besoj se do të mund ta shpallim shumë shpejt, është një rritje e mëtejshme e ndjeshme e pragut për investimet e Vizës së Artë që do të zbatohet në të gjitha ato zona ku ka presion të madh për qiratë.  E kam fjalën për qendrat e mëdha urbane, por edhe për ishujt. Aty me të vërtetë kufiri do të rritet shumë, do të shohim se në çfarë niveli. Mund të shkojë deri në 800 mijë euro”, tha Kyriakos Mitsotakis-kryeministër i Greqisë.

>

Greqia ka dhënë pak më shumë se 17,500 “viza të arta” që nga viti 2018. Vjet numri i aplikimeve është rritur ndjeshëm duke arritur në 8797. Këto investime arrijnë në 2 miliardë euro, ndërsa mbi 4000 aplikime të miratuara gjatë vitit 2023 kanë sjellë investime prej 1 miliard eurosh.

Numri më i madh i investitorëve vjen nga Kina me 7385 aplikime, në vendin e dytë Turqia me 735 , më pas Libani dhe Irani me përkatësisht 615 dhe 392 aplikime. Një rritje e ndjeshme është shënuar në vitin 2023 nga SHBA dhe Britania e Madhe, krahasuar me vitet e mëparshme.


Top Channel

You may also like