Visar Ganiu: Respekt pa fund për heronjtë tanë nga Çairi, vullnetarët e SHZ ‘Bajram Miftari’ u kthyen nga rajonet e goditura nga tërmeti në Turqi

by admin
Spread the love

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu me respektin më të madh ka mirëpritur sot ekipin e shpëtimtarëve të Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve “Bajram Miftari” të Komunës së Çairit, të cilët u kthyen nga aksioni i shpëtimit që realizuan në rajonet turke të goditura nga tërmeti katastrofik më 6 shkurt.

“Me këtë rast heronjtë tanë Artan Demiri, Hetem Arsllani, Sefer Demiri e Isuf Jakupi më informuan lidhur me aksionin për shpëtimin e jetëve të njeriut. Mes emocioneve ata rrëfyen momente shumë të trishta të gjendjes që kanë hasur në qytetet turke pas tërmetit, por edhe çastet e gëzimit që ndjenë në momentet e shpëtimit të jetëve pas plot 118 orëve nën rrënojat e ndërtesave”, është shprehur Ganiu.

Ai ka shtuar më tej se s’ka fjalë me të cilat mund të përshkruhet heroizmi, humanizmi, guximi i tyre, sikurse edhe i të gjithë pjesëtarëve të ekipeve të shpëtimit që po marrin pjesë në këtë aksion humanitar në Turqi.

Ndryshe, Komuna e Çairit dje ndau 600.000 denarë ndihmë financiare për të prekurit nga tërmeti në Turqi.

You may also like