(VIDEO) Xhaferi: Nuk ndjej përgjegjësi t’u kërkoj falje punonjësve të Kuvendit

by admin
Spread the love




Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk dëshiron tu kërkojë falje të punësuarve në Kuvend për sharjet dhe fyerjet të cilat u dëgjuan në një audio incizim të publikuar disa ditë më parë. Ai thotë se nuk ndjen përgjegjësi dhe se sharjet nuk kanë qenë të drejtuara për të punësuarit, por për raportin e tyre me punën. Në takimin e sotëm me gazetarë, Xhaferi tha se nuk do të lejojë që të punësuarit në Kuvend të rrijnë në kafe gjatë orarit të punës, ndërsa për sjelljen e tij tha se duhet të gjykojë opinioni.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT
 “Unë nuk kam ndonjë shpjegim për atë ngjarje. Unë jam kryetar i Kuvendit dhe kompetencat e mia janë të rregulluara me Rregulloren e Kuvendit. Duhet të krijoj kushte dhe parakushte për punën e shërbimit të Kuvendit. Nëse dikush mendon se shërbimi duhet ta kalojë orarin e punës në rrugën “Maqedonia”, mendoj se as qytetarët nuk duan shërbim të tillë, as në Kuvend as në ndonjë institucion tjetër”.

Për VMRO DPMNE-në, sjellja e Xhaferit është e turpshme dhe e palejueshme. Partia opozitare e priti sot kryeparlamentarin me transparentë ku kërkohet dorëheqje për shkak të sharjeve dhe gjuhës denigruese.

DAFINA STOJANOSKA, VMRO-DPMNE
“Është skajshmërisht e palejueshme nga njeriu i parë i cili e ka nënshruar Kodin Etik të sjelljes në Kuvend ta shkel në mënyrën më të ashpër dhe të ikë nga përgjegjësia. Më e pakta që mund të bënte Xhaferi, është të kërkonte falje për këtë sjellje dhe të jep dorëheqje nga funksioni Kryetar i Kuvendit”.

Xhaferi shpjegoi se reagimi i tij ka qenë i tillë për shkak se të punësuarit kanë bërë gabim duke i sjellë materiale të gabuara në seancë. Ndaj kryeparlamentarit është ngritur procedurë disciplinore nga opozita. /SHENJA/

 

 


You may also like