(VIDEO) Vdiq në burg duke pritur rigjykimin, Rexhail Qerimi, i dënuar për rastin “Alfa”

by admin
Spread the love

Disa minuta pas mesnate, në rrethana të mistershme, ka ndërruar jetë Rexhail Qerimi, i dënuar për rastin “Alfa”, me burg të përjetshëm. Pas kësaj ishin njoftuar familjarët e të ndjerit, të cilët e kanë kërkuar trupin e pajetë të Qerimit dhe nuk kanë lejuar që atij ti bëhet autopsi.

Drejtoria e burgut sot doli me detaje për këtë rast.

Drejtoria e burgut të Idrizovës

“Rreth orës 23:40, pasi një grup më i madh i të burgosurve nga krahu i nëntë, në njësinë e mbyllur të institucionit, kërkuan ndihmë nga polici i burgut, se të burgosurit Rexhail Qerimit i është përkeqësuar gjendja, duke bërë dush, i cili kishte rënë mbi lavaman, në hapsirën ku po qëndronte. Personit të dënuar menjëherë i është ofruar ndihmë nga ambulanca e institucionit. Nga ana  e gardianit kujdestar, menjëherë është thirrur ndihma e shpejtë, por përshkak të gjendjes së rëndë, i burgosuri, menjëherë është dërguar me veturë zyrtare në spitalin ‘Nënë Tereza’ në Shkup dhe diku nga lagjia ‘Goce Dellçev’, janë takuar me personelin mjekësorë të ndihmës së shpejtë dhe të ndjerit i është ofruar ndihma shëndetësore dhe reanimacion, por pa sukses dhe në ora 00:10, u konstatua vdekje e të burgosurit Rexhail Qerimi”.

Po ashtu, ata thonë se gjatë periudhës së vuajtjes së denimit, personi në fjalë nuk ka pasur sëmundje kronike dhe çdoherë kur ka kërkuar ndihmë mjekësore, ajo i është ofruar edhe nga mjeku i institucionit edhe nga specialistët e spitalit shtetëror.

Nga Prokuroria Publike theksojnë se në trupin e të ndjerit Rexhail Qerimi nuk janë hasur shenja dhune. Po ashtu thonë se është konstatuar se personi në fjalë ka pasur histori të sëmundjeve.

PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE

“Është konstatuar se personi ka pasur histori paraprake të sëmundjes, ndërsa mjekët nga Ndihma e shpejtë të cilët kanë qenë të thirrur kanë konstatuar se tek personi nuk janë hasur shënja të dhunës ose gjurmë të cilat do të kishin çuar drejt dyshimit se vdekja ka ndodhur si pasojë e ndonjë vepre penale.”

Varrimi i Qerimit do të bëhet nesër pas namazit të xhumas.

Më 26 nëntor të vitit 2008 në afërsi të Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore në Shkup u vra polici i njësitit “Alfa”, Afrim Arifi, ndërsa mbetën rëndë të plagosur edhe dy policë të tjerë. Rasti në fjalë bëri bujë në opinion sepse dy vite më vonë, më 30 prill të vitit 2010 për këtë vrasje u dënuan me burgim të përjetshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së: Rexhail Qerimi  nga fshati Opajë I Kumanovës dhe Agim Islami nga fshati Rashçe i Shkupit. Gjithashtu, me gjashtë vite burg u dënua ish ushtari i UÇK-së, Ramadan Shaqiri. Rasti është bazuar në dëshminë e “dëshmitarëve të mbrojtur”. Qerimi deri tani kishte vuajtur burg 13 vjet e gjysmë.

Rasti “Alfa” pritet që të rinisë nga e para, pasi familjarët kanë bërë ekspertizë shtesë nga ekspertë serb të videos  së gjetur në vend-ngjarje.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like