(VIDEO) Shkolla fillore e Koliçanit të Epërm rinovohet tërësisht

by admin
Spread the love

Nxënësit e shkollës fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në fshatin Koliçan i Epërm të Shkupit, do të mësojnë në hapsira të reja tërësisht të rinovuara. Pas shumë viteve, kjo shkollë do të ketë një enterier dhe eksterier krejtësisht të ri, për të cilin kanë kontribuar më shumë persona.

E donator më i vogël në moshë është 13 vjeçari Esmen Nuhiu nga Shkupi, i cili kishte vendosur që kursimet e tija, ti japë për shkollën e fshatit të babait të tij. Madje ka edhe një mesazh për bashkëmoshatarët.

Esmen Nuhiu, nxënës

“Unë jam Esmen Nuhiu, klasa e tetë dhe mësoj në shkollën fillore ‘8 Marsi’ në Shkup, në Çair…e di që edhe babai im është bashkëfshatar i këtij fshati dhe edhe mua më erdhi një kënaqësi dhe thash pasi kam kushte dhe mundem, të ndihmoj edhe në këtë shkollë…shpresoj që edhe bashkëmoshatarët e mi të kenë kushte të mira dhe të mund të ndihmojnë, por ato kushte vijnë çdoherë me mësim dhe shpresoj që të ketë gjenerata sa më të mira në këtë shkollë”.

Donacionin me vlerën më të konsiderueshme e kishte bërë shoqatë bamirëse amerikane “LDS  Cherity”.

Clay Stringham, “LDS  Cherity”

“Ne jemi shumë të gëzuar që ju shofim juve me këtë dashuri të madhe, me pasion për shkollën, për këta nxënës, për këta mësimdhënës. Jemi shumë të lumtur dhe të prekur nga kjo ndjenjë e fortë që ju posedoni për arsimin dhe shkollën në përgjithësi dhe vendin tuaj”.

Drejtori i shkollës Sabri Imer dhe kryetari i komunës së Studeniçanit Azem Sadiku, falenderuan donatorët dhe thanë se kjo ditë do të vendoset në historinë e kësaj shkolle.

Sabri Imer, drejtor i shkollës “Mustafa Kemal Ataturk”  

“Dita e sotme do të hyjë në historinë e kësaj shkolle pasi është bërë rikonstruim i plotë i shkollës, ndërtim i toaleteve të brendshme dhe rregullim i oborrit të shkollës. Në emrin e nxënësve, të mësuesëve dhe në emrin tim falenderoj donatorët”.

Azem Sadiku, kryetar i komunës së Studeniçanit  

“Unë dua ti përshëndes dhe të ju falenderoj për ndihmën miqtë tanë amerikan. Faleminderit për ndihmën, në emër të të gjithë qytetarëve të komunës së Studeniçanit ju falenderoj, do të ju jemi mirënjohës për gjithëçka që keni bërë, për këta nxënës, për këtë shkollë”.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të fshatit Abdulla Alili i cili kishte dhënë kontribut të madh për këtë projekt, tha se shkolla i përmbush kushtet evropiane dhe se punimet në këtë shkollë do të vazhdojnë.

Abdulla Alili, kryetar i Këshillit të fshatit 

“Me renovimin  shkollës, shkolla arriti një hije të bukur, të ndryshme që i përshtatet standardeve evropiane. Por, a ka përfunduar, asesi. Me pranverën e vitit 2024, përsëri do të fillojmë edhe me disa punë të vogla që janë në eksterier, në oborrin, me rrethin e shkollës”.

Shkolla fillore “Mustafa Kemal Ataturk”  numëron rreth 50 nxënës.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING



You may also like