(VIDEO) Njëri ndër hajdutët e bankës ishte në burg shtëpiak

by admin
Spread the love




Grabitja e armatosur e një ekspoziture banke në qendër të Shkupit gjatë ditës së djeshme ka marrë shpejt epilog me arrestimin e dy prej tre personave të dyshuar për grabitjen. Ministria e Brendshme njoftoi dje se ka arrestuar N.SH. – 24 vjeç dhe S.B. – 32 vjeç, nën dyshimin se kanë qenë ndër autorët e grabitjes. Për identifikimin e shpejtë të autorëve ka ndihmuar edhe kompania e sigurimit NIKOB. Nga kompania thonë se sigurimi i ka parë tek largoheshin personat e armatosur dhe ka njoftuar njësitet tjera për ndihmë, të cilët kanë arritur brenda 1 minuti. Përkundër këmbënguljes për të ndjekur sulmuesit, NIKOB është zbrapsur nga të shtënat e armëve në drejtim të tyre.

Por, arrestimi i dy autorëve të dyshuar ka hapur pikëpyetje tjera sa i përket funksionimit të gjyqësorit. Kjo për shkak se personi S.B., sipas raportimeve, duhej të ketë qenë në paraburgim shtëpiak, si i dyshuar për rastin “Mali”, lidhur me të cilin disa persona dyshohen për trafikim të lëndëve narkotike. Si ka arritur i dyshuari që jo vetëm të dalë nga paraburgimi shtëpiak por edhe të marrë pjesë në një grabitje të bankës, është pyetja për gjykatat. Për rastin “Mali”, i dyshuari S.B. ishte në kërkim për 5 muaj e gjysmë, ndërsa pas arrestimit të tij më 19 shtator të vitit të kaluar, nga Gjykata Penale në Shkup iu shqiptua masa e paraburgimit shtëpiak. Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar ishte ankuar për këtë vendim dhe kishte kërkuar paraburgim efektiv për të dyshuarin, por Gjykata e Apelit nuk ka marrë ndonjë vendim 2 muaj e gjysmë pas kësaj ankese.

Edhe më herët kishte reagime të shumta në opinion për vendimet e Gjykatës Penale për paraburgim shtëpiak, madje edhe për raste e profileve të larta, ku të dyshuar janë ish politikanë dhe biznesmenë të njohur. Megjithatë kjo masë vazhdon të praktikohet shpesh nga Gjykata Penale, edhe pse jo rrallë rezulton të keqpërdoret. /SHENJA/


You may also like