(VIDEO) Mickoski: Jemi të gatshëm për të hequr dorë nga parimi kushtetues i “20-përqindsh”-it

by admin
Spread the love




VMRO DPMNE është e gatshme të bisedojë për ndryshimin e Kushtetutës për të hequr formulimin “20 përqind”, por edhe për heqjen e përfaqësimit adekuat, sistemin e Badenterit dhe kalimin në një njësi zgjedhore. Kështu tha sot kryetari i partisë opozitare Hristijan Mickoski, duke komentuar kërkesat e partive shqiptare për ndryshim të Kushtetutës.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
Jam i gatshëm të bisedoj edhe për fshirjen e përqindjeve dhe pres përkrahje edhe nga partitë tjera politike për një njësi zgjedhore. Jam i gatshëm të bisedoj për heqjen e Badenterit, përfaqësimit adekuat, sepse e shoh se subjekte të caktuara politike dëshirojnë ta braktisin Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Atëherë le të ndërtojmë shoqëri që do ta projektojmë për 50 vitet e ardhshme”.

Mickoski tha se Maqedoninë e Veriut në dekadat e ardhshme e sheh si shtet të përbashkët të të gjitha bashkësive etnike, ku do të garojnë me dije dhe aftësi edhe jo me kuota etnike.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Jo pse dikush është pjesë e njëfarë përqindjeje apo kuote. Për këtë shkak këto 4 tema mendoj se në periudhën kur ishin aktuale dhe u miratuan, mendoj se u tejkaluan. Sot të gjithë jemi më të vetëdijshëm dhe më me përvojë. Kështu që ejani të bisedojmë për fshirjen e përfaqësimit adekuar dhe Badenterit, për një njësi zgjedhore. Shpresoj se edhe subjektet tjera e shohin kështu Maqedoninë, si shtet të barabartë për të gjithë qytetarët ku vlerësohen kompetencat, aftësitë dhe dija”.

Sistemi i Badenterit është mekanizëm që i mbron bashkësitë joshumicë nga mbivotimi etnik në Kuvend dhe në këshillat komunal, për disa sfera të caktuara si arsimi, kultura dhe të ngjashme. Ndërsa parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat parashikon që bashkësitë etnike të përfaqësohen në punësimet në administratë në proporcion me përqindjen e tyre në popullsinë e përgjithshme të Maqedonisë së Veriut. /SHENJA/


You may also like