Video/ Krokodilët në Kosta Rika i mbijetojnë ndotjes së habitatit të tyre (fotot)

by admin
Spread the love

Kurrizët e palëvizur të dhjetra krokodilëve gjigantë shihen në sipërfaqen e ujit të Tárcoles, ndërsa të tjerë në tokën e brigjeve të këtij lumi kostarikan, që çdo ditë sjell goma e mbetje të ndryshme, në zonat moçalore të Paqësorit.

Rreth 2,000 krokodilë amerikanë (Crocodylus acutus) banojnë në lumin Tárcoles, i cili rrjedh nga Cordillera qendrore pranë San José, ku shkarkohen prej dekadash ujëra të zeza e mbeturina që kanë dëmtuar ekosistemin e tij.

“Është një zonë e ndotur, por nuk duket se ka prekur popullatën e krokodilëve,” thotë biologu vendas Iván Sandoval, për rrjetin AFP.

Në brigjet e Tárcoles këto kafshë qëndrojnë në diell, duke u ushqyer me peshqit e sjellë nga deti.

Tipe të ndryshme bakteresh janë zbuluar në këto ujëra, por krokodilët jo detyrimisht janë prekur prej tyre, shton Sandoval.

Megjithë ndotjen e lartë krokodilët kanë mbijetuar falë kapaciteteve evolucionare dhe kushteve fiziologjike që i kanë bërë të rezistojnë.

Avokati mjedisor vendas Walter Brenes, thotë se megjithë legjislacionin e plotë kundër ndotjes, rezultatet janë të vështira për t’u parë:
“Kosta Rika është përpjekur të krijojë ligje e rregullacione për ndotjen por këto nuk e kanë zgjidhur problemin”.

“Njerëzit duhet të ndryshojnë zakonet e tyre dhe qeveria të krijojë politika publike për të mbrojtur botën e egër”, shton ai.