(VIDEO) Kovaçevski: Viti 2023 nuk do të jetë vit elektoral, Mickoski insiston për zgjedhje

by admin
Spread the love

Kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se viti 2023 nuk do të jetë vit elektoral sepse skriningu është ende në rrjedhë dhe se i njëjti duhet të përfundojë diku në nëntor të vitit 2023. Ai theksoi se me siguri skrininkun nuk do ta ndalojmë tani, pas 17 vitesh pritje. Mbështetja e zgjedhjeve në kurriz të çështjeve strategjike është absolutisht e pavend,  tha Kovaçevski në një intervistë për RTVM.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Skriningu do të përfundojë në nëntor 2023 dhe nuk ka gjasa ta ndalojmë skriningun tani, pas 17 vitesh pritje.  Së dyti, nuk do të ndalen kriza energjetike dhe kriza ekonomike, institucionet që do të merren me të duhet të jenë funksionale. Së treti, ne kemi një numër të madh të vendimeve që duhet të merren në Kuvend që kërkojnë një konsensus të gjerë shoqëror dhe politik dhe të këtë konsensus nuk do ta sigurojnë zgjedhjet, shoh disa parti politike që bërtasin se do të votojmë nëse ka zgjedhje”.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi lidhur me çështjen e zgjedhjeve të parakohshme në kurriz të votave për amendamentet kushtetuese, konsideron se vlerësimi i parë i kësaj duhet bërë nga këndvështrimi se a është në favor të procesit të shtetit drejt BE-së dhe në favor të interesave të qytetarëve.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT

“Nga konteksti im është interesi i procesit. Interesi i procesit është që të bëjmë ndryshimet, të hapim rrugën dhe të punojmë brenda një afati të caktuar kohor për të përmbushur sa më shpejt atë që duhet të përmbushim për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së. Nuk na duhet një shembull tjetër, shembulli ynë i vetëm është, anëtarësimi në NATO. Të gjithë i dimë perceptimet para dhe pas anëtarësimit në NATO në kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike”.

Ndërkaq, kreu I VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se kjo qeveri është e papërgjegjshme që të vazhdoj më tutje të funksionojë, sepse sipas tij po bëhen gjithnjë e më të forta pakënaqësitë në kuadër të grupeve parlamentare të partive që mbështesin këtë qeveri.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË

“Mendoj se këtë vit do të jenë 61 deputetë që do ta lëshojnë këtë parlament, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe pas saj do të vijë një qeveri që do të jetë e zgjedhur nga populli dhe jo e zgjedhur nga grup i ngushtë i njerëzve dhe kryetar i zgjedhur në grup të ngushtë të njerëzve, e cila do të punoj në interes të popullit dhe shtetit dhe jo për interesa personale apo partiake. I inkurajuar nga këto sinjale mendoj qe kemi mundësi të madhe që datat 14 apo 21 maj të jenë data të zgjedhjeve”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se do të ketë shumë vendime, që kanë të bëjnë me organizimin sistematik të shtetit në shumë fusha, shëndetësi, drejtësi,e  deri në sektorin e energjisë, të cilat nuk do të jenë vendime të thjeshta, por të gjitha këto do të bëjnë që Maqedonia e Veriut  të jetë në nivelin e funksionimit që ne të gjithë e dëshirojmë, që është funksionimi i shteteve anëtare të BE-së.

Medina Ajeti /SHENJA/

You may also like