(VIDEO) Jakimovski për rastin autobusi në Llaskarcë: Mbetet të ndëshkohen personat që bënë lëshime

by admin
Spread the love

Ngjarja e “Llaskarcës” ka gjenezën, zhvillimin dhe epilogun e vet dhe paraqet grumbullimin e një numri të madh lëshimesh, deklaroi prokurori publik Darko Jakimovski sot në gjykatën themelore Penale të Shkupit në fjalët përfundimtare për rastin “Llaskarca”, i cili ka të bëjë me aksidentin e ndodhur në vitin 2019 dhe në të cilin humbën jetën 16 qytetarë.

DARKO JAKIMOVSKI, PROKUROR PUBLIK

 “Ekziston një grup i tërë i detyrimeve të sigurisë dhe obligimeve që këta të pandehur vazhdimisht nuk i kanë përmbushur. Mbetet vetëm që këto lëshime të ndëshkohen. Të gjithë ekspertët mbi të cilët prokuroria ka mbështetur provat, në asnjë moment nuk kanë kalkuluar me provat, ndërsa në ekspertizat e tjera  vetëm  janë rishkruar ato përllogaritje . Asnjë fakt i vetëm nuk është vënë në dyshim nga mbrojtja në një mënyrë të njohur dhe të pranuar nga shkenca e trafikut”.

Jakimovski ka komentuar edhe mbrojtjen e të akuzuarve, ku, siç tha askush nga mbrojtja nuk e mohon se nuk janë fajtorë por sipas mbrojtjes së secilit të pandehur në këtë aksident, përgjegjësia për të gjitha lëshimet i bartet dikujt tjetër.

DARKO JAKIMOVSKI, PROKUROR PUBLIK

“Nëse analizohet mbrojtja e pesë të dyshuarve të parë, të krijohet përshtypja se gjithçka varet nga i dyshuari i gjashtë pra shoferi i autobusit. Nëse nga ana tjetër analizohet mbrojtja e të pandehurit të gjashtë, rezulton se në autobus nuk ka pasur fare shofer”.

Jakimovski tha se faji për këtë aksident i takon të gjithë të akuzuarve. Ai kërkoi dënimin më të rreptë për të akuzuarit në rastin e aksidentit. Sipas tij, ka pasur pakujdesi në veprimet e të gjithë të pandehurve dhe ishte vetëm çështje kohe se në çfarë baze, siç tha ai kaosi i punës mund të kishte sjellë pasoja të tilla apo të ngjashme.

Të akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të LLaskarcës, i ndodhur më 13 shkurt 2019, janë Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Tours”, personi përgjegjës për transportin në kompani Remzi Miftari dhe drejtuesi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërkaq për të njëjtën vepër akuzohen tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.

Sipas nenit 300 paragrafi 2 i Kodit Penal, për të cilin akuzohen të pandehurit, dënimi me burg është së paku katër vjet.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING



You may also like