(VIDEO) Ia shau nënat të punësuarve, kërkohet dorëheqja e Talat Xhaferit

by admin
Spread the love

VMRO DPMNE ka publikuar mbrëmë një audio incizim, për të cilin thonë se dëgjohet kryeparlamentari Talat Xhaferi duke sharë dhe ofenduar të punësuarit në Kuvend.

Në reagimin e tyre, VMRO DPMNE e cilëson si primitive sjelljen e Xhaferit dhe maltretimin që iu bën të punësuarve në Kuvend.

VMRO DPMNE
“Sjellja e Talat Xhaferit është skandaloze dhe primitive, të sharat dhe ofendimet ndaj të punësuarve janë të papranueshme, dorëheqje menjëherë! Kur koalicioni i krimit LSDM dhe BDI nuk kanë argumente, despoti nga Forinë bëhet me nerva. Jemi të shtangur nga primitivizmi i Talat Xhaferit, i cili duke menduar se kamerat janë të fikura, i fyen dhe i maltreton em të sharat më të shëmtuara të punësuarit në Kuvend”.

Për këtë rast ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët, sipas të cilëve mobing dhe sjellje të tilla ka në shumicën e institucioneve.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Për një kohë të gjatë, jo vetëm Xhaferi, por edhe zyrtarë të tjerë të BDI-së i trajtojnë në mënyrë të njëjtë nënpunësit dhe qytetarët, ndërsa shpesh herë tentojnë të trajtojnë kështu edhe deputetët. Kjo është sjellje tipike e një regjimi, një diktature që funksionon vetëm me frikë dhe kërcënime”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot nuk deshi të komentojë lidhur me këtë rast, pasi sipas tij nuk dëgjohet kush me kë flet në incizimin e publikuar nga opozita.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“E pash atë inçizim, por bëhet fjalë për një bisedë në të cilën nuk shihet as kush flet as me kë flet dhe për këtë arsye nuk mund ta komentoj nëse Kryeparlamentari flet me dikënd në sallë, nëse ai është i punësuar ose jo. Me të vërtetë nuk mund të jap përgjigje konkrete sepse në inçizim nuk shihet kush dhe me kë flet. Dëgjohet por nuk shihet kush me kë flet”.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi nga ana tjetër ka zgjedhur të heshtë lidhur me audio incizimin e publikuar. Nga kabineti i tij thonë se nuk do të ketë asnjë koment lidhur me rastin.  /SHENJA/

 

 

 

You may also like