(VIDEO) Guvernatorja e Bankës Popullore: Vendi po bën një hap drejt anëtarësimit në zonën e vetme të pagesave në euro

by admin
Spread the love

Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, deklaroi se vendi po bën një hap drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Gjatë intervistës së saj për agjencinë rajonale të lajmeve “SeeNews”, shprehet se miratimi i ligjit të ri për shërbimet dhe sistemet e pagesave, si dhe një sërë aktesh nënligjore të harmonizuara me rregulloren e BE-së, janë hapa kyç për këtë proces.

Nëpërmjet këtij integrimi, sipas saj, qytetarët dhe kompanitë do të kenë mundësi të kryejnë pagesa në euro për shtetet anëtare të BE-së, dhe një numër të madh vendesh jo-anëtare të BE-së, në një mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe efikase. Guvernatorja thekson se kjo përparësi do të sjellë zvogëlimin e kostove të transaksioneve ndërkufitare, duke ndihmuar veçanërisht në rritjen e remitencave nga qytetarët tanë nga jashtë.

Anita Angellovska-Bezhoska, Guvernatore e Bankës Popullore

“Kostot e transaksionit të importit dhe eksportit janë shumë të rëndësishme për firmat, si dhe për ekonominë tonë në tërësi, duke qenë se ajo është shumë e hapur. Ulja e kostove për kompanitë do të ndihmonte në rritjen e përgjithshme të ekonomisë. Për të arritur këtë qëllim, duhet të vazhdojmë të harmonizojmë rregulloret tona me SEPA-n, si dhe të përgatisim vetë infrastrukturën e pagesave”.

Angellovska-Bezhoska bën të ditur se, SEPA përfshin 36 vende, duke përfshirë 27 shtete anëtare të BE-së, 3 vende nga Zona Ekonomike Europiane dhe 6 vende të zgjeruara gjeografikisht që nuk janë anëtare të ZEE-së. /SHENJA/

 

 

MARKETING



You may also like