(VIDEO) Akuza për tre mjekë gjinekologë, dëmtuan shëndetin e një shtatëzëne

by admin
Spread the love

Prokuroria Themelore Publike ka ngritur padi ndaj tre mjekëve nga Struga, për veprën penale – Vepra të rënda kundër shëndetit të njeriut. Sipas njoftimit të prokurorisë, dy të dyshuarit janë gjinekologë specialistë dhe një gjinekolog specializant. Mjekët në fjalë dyshohet se i kanë përkeqësuar gjendjen shëndetësore një lehone, pasi gjatë lindjes kanë përdorur mënyrën dhe mjetet joadekuate për mjekim.

Prokuroria Themelore Publike

“Lehona është pranuar me datë 27.08.2020 për lindje në repartin gjinekologjik, pasi ka qenë në javën e 40-të të shtatzënisë. Ajo është pritur nga i akuzuari i parë, i cili e ka trajtuar si paciente gjatë gjithë shtatëzënisë dhe ka vendosur që lindja të bëhet me prerje cezariane. I akuzuari i dytë ka ndihmuar në operacion, por gjatë operacionit kanë dëmtuar arterien e majtë renale (të veshkës)”.

Si rezultat i këtij dëmtimi precizojnë ata më tej, ka ardhur deri në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientes, e cila ishte jostalibe, por edhe përkundër kësaj, të dyshuarit nuk kishin marrë asnjë masë për vërtetimin e shkaqeve për përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore. Me terapinë që ia kanë dhënë, sipas prokurorisë, e kanë përkeqësuar gjendjen e saj në mënyrë shtesë dhe janë vonuar me reaksionin, sepse tek ajo është shkakuar humbje e madhe e gjakut dhe ajo ka rënë në gjendje shoku”.

Nga Prokuroria shtojnë se mjekët kanë kryer edhe dy intervenime kirurgjike joadekuate nga ku kanë hequr nga pacientja mitrën, vezorën e majtë dhe veshkën.

Prokuroria Themelore Publike

“Në rrethana të tilla, i akuzuari i parë, me ndihmën e të akuzuarit të tretë, ka vendosur që të kryejë një operacion të ri për parandalimin e gjakderdhjes, heqjen e mitrës dhe vezores së majtë, ndonëse nuk ka pasur ndryshime apo lëndime në këto organe. Pasi gjakderdhja nuk është ndalur edhe pas mbylljes së pacientit, ata vendosën për një operacion tjetër dhe kirurgët zbuluan se gjakderdhja ishte për shkak të dëmtimit të arteries renale të shkaktuar nga operacioni cezarian. Për shkak të pamundësisë për të rindërtuar arterien renale, është dashur të fashohet dhe të hiqet veshka e majtë për t’i shpëtuar jetën të dëmtuarës”.

Ky rast ka ndodhur një vit më parë. Atëkohë pati reagime të shumta në opinion, pas tregimit të kësaj historie nga lehona Jëlldëz Veapovska. Pas kësaj, ministri Venko Filipçe e kishte shkarkuar drejtorin e spitalit Muhamet Hasanin. Ndërsa pas formimit të një komisioni të ekspertëve që do ta hetonin këtë rast, ishte konstatuar se nuk ka gabim mjekësorë, mangësi apo parregullësi në trajtimin e  pacientës nga spitali i Strugës. I vetmi lëshim i konstatuar nga Komisioni ishte një mosperputhje e të dhënave, një lapsus në lidhje me gjininë e fëmijës.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like