Vetëm 10-30 për qind e jetëgjatësisë jonë varet nga gjenet që trashëgojmë

by admin
Spread the love

 

Nga Zoë Corbyn

Mund të thuhet që ne njerëzit kemi dy mosha:një moshë kronologjike fikse, bazuar në kohën kur kemi lindur, dhe një moshë biologjike të lakueshme. Kjo e fundit është mosha në të cilën trupi ynë funksionon, e cila mund të ndikohet nga zgjedhjet tona mbi stilin e jetesës. Dr.Morgan Levin, përshkruan mjetet që e matin këtë të fundit. Në librin e saj të ri “Mosha e vërtetë e njeriut”, ajo argumenton se ne duhet të matim rregullisht moshën tonë biologjike, duke na dhënë informacione që mund t’i përdorim për të monitoruar dhe madje fituar kontroll mbi procesin tonë individual të plakjes.

Levin, 37 vjeçe, është ndihmës/profesoreshë e patologjisë dhe epidemiologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Jeilit në SHBA. Në qershor ajo do t’i bashkohet Altos Labs, një startup i ri i bioteknologjisë kundër plakjes, me vlerë 3 miliardë dollarë, ku një ndër financuesit është multimiliarderi Xhef Bezos

Çfarë ju nxiti të fokusoheshit tek shkenca e plakjes biologjike?

Të rriturit me një baba më të madh në moshë sesa zakonisht. Kur unë linda ai ishte 54 vjeç, dhe njerëzit mendonin gjithmonë se ai ishte gjyshi im. Shumica e fëmijëve nuk mendojnë që herët për vdekshmërinë e prindërve të tyre, por unë tashmë isha e tmerruar nga frika se një ditë ai mund të mos ishte më pranë meje. Edhe nëna ime, që merret me politikat mbi moshën e tretë, pati ndikimin e saj. Unë pashë burimet që duheshin për t’u kujdesur për ata në moshën e thyer, dhe nisa të pyes veten nëse ekziston mundësia e vonimit të kësaj nevoje.

Pse është e rëndësishme mosha biologjike?

Sepse është më informuese, sesa mosha kronologjike për parashikimin e rrezikut të sëmundjeve apo vdekjes. Pasi nuk është koha kronologjike, ajo që dikton zhvillimin e sëmundjes, por ndryshimet biologjike që ndodhin midis molekulave dhe qelizave në trupin tonë.

Mosha biologjike e shumicës së njerëzve, është plus ose minus 5 vite nga mosha e tyre kronologjike. Por diapazoni mund të ndryshojë me deri në 10 vjet ose më shumë. Por gjëja më e mrekullueshme, është se krahasuar me moshën kronologjike, ajo biologjike është e modifikueshme.

Ne nuk e dimë ende saktësisht, se si ta modifikojmë atë në një masë shumë të madhe. Por mund të bëjmë që “ora biologjike” të ecë më ngadalë, ose ndoshta të kthehet pas, sipas sjelljeve tona (megjithëse edhe mund të përshpejtohet). Hapi i parë, është marrja e një mase të vlefshme dhe të besueshme për të, për të cilën ka punuar edhe laboratori ynë.

Ju rekomandoni që mosha jonë biologjike, të matet rregullisht njëherë ose 2 herë në vit. A është realisht shkenca mjaftueshëm e avancuar për këtë gjë?

Këto janë teste fillestare, ndaj ato kanë ende nevojë për përmirësim. Nuk ka ende një mënyrë standarde, të dakordësuar për matjen e moshës biologjike. Metoda të ndryshme japin shifra të ndryshme. Ndoshta nuk ka asnjë mënyrë të “përsosur”, pasi nuk ka asgjë për të krahasuar.

Por teste të tilla janë shumë të mira, pasi u japin njerëzve një ndjenjë të përgjithshme të gjendjes së tyre shëndetësore. Laboratorët e mi dhe të të tjerëve, kanë treguar këto teste janë më të mira se sa testet standarde mbi nivelin e kolesterolin apo glukozës që përdorin aktualisht mjekët.

Unë kam publikuar një metodë për të vlerësuar moshën biologjike, e cila kombinon 9 paramera të gjakut dhe kalkulatori ofrohet falas në internet . Por ka edhe metoda të tjera. Metodat e nivelit molekular, përfshijnë matjen e gjatësisë së telomereve (seksionet mbrojtëse të ADN-së në fund të kromozomeve tona që shkurtohen me kalimin e moshës), megjithëse unë nuk mendoj se është një parashikues kaq i fuqishëm. Një metodë tjetër, janë orët epigjenetike, që deshifrojnë disa nga modelet e metilimit të ADN-së.

A janë vetëm faktorët e zakonshëm të stilit të jetesës që i dimë tashmë të gjithë, por që e kemi kaq të vështirë për t’i zbatuar, të cilët mund ta ndryshojnë moshën tonë biologjike?

Modelet që vëzhgojmë nuk kanë ndonjë gjë befasuese. Njerëzit që priren të plaken më ngadalë nuk pinë duhan, nuk pinë thuajse fare alkool, ushtrohen fizikisht rregullisht, hanë shumë produkte bimore, flenë më mirë dhe përjetojnë më pak stres. Mesatarisht, vetëm 10-30 për qind e jetëgjatësisë sonë vlerësohet se varet nga gjenetika.

Kjo do të thotë se mënyra se si ne plakemi varet kryesisht nga sjelljet tona, së bashku me disa mundësi të rastësishme. Variabli mbi të cilin nuk kemi kontroll dhe që ka një ndikim të madh është statusi socio-ekonomik. Të qenit i varfër, e zvogëlon me rreth 10 vite jetëgjatësinë e njeriut, gjë që është e barabartë me të qenit duhanpirës. Ne mendojmë se kjo ndodh në një farë mase për shkak të stresit kronik.

Kufizimi i kalorive është sot një metodë shumë popullore, si një mënyrë për të rritur jetëgjatësinë. Çfarë provash ekzistojnë tek njerëzit se ajo e ngadalëson plakjen?

Studimi Calerie (Vlerësimi Gjithëpërfshirës i Efekteve Afatgjata të Reduktimit të Marrjes së Energjisë), është në fakt e vetmja provë klinike e rastësishme. Disa nga vlerësimet e moshës biologjike që kam bërë vetë, tregojnë njëfarë ndikimi që ka kufizimi i kalorive, edhe pse nuk e dimë nëse kjo ndodh për shkak të kufizimit të kalorive, apo thjesht për shkak të mungesës së ngrënies së tepërt. Natyrisht, kufizimi i kalorive duhet të jetë në një nivel ku ju jeni ende duke marrë kalori të mjaftueshme.

Ju vetë çfarë bëni për ta ulur moshën tuaj biologjike?

Mundohem të kem një dietë ushqimore kryesisht me bazë bimore, të qëndroj fizikisht aktive dhe të ushtrohem. Gjumi dhe nivelet e stresit, janë fushat ku e di se duhet t’i kushtoj më shumë vëmendje. Mbaj agjërim me ndërprerje, dhe e kufizoj periudhën kohore në të cilën ha.

Marrë me shkurtime nga “The Guardian” – Bota.al

Lexo lajme interesante

You may also like