Verstappen niset i pari në Australi, ndjek Mercedes, Ferrari ende larg

by admin
Spread the love

Formula 1 përgatitet për garën e tretë të sezonit atë në Australi teksa ditën e sotme u zhvilluan provat zyrtare. Në Melbourne, Max Verstappen dhe Red Bull konfirmuan superioritetin teksa piloti holandez nuk e vendosi në diskutim vendin e parë dhe në këtë formë në garën e së dielës do të niset në Pole Position.

Pas krahëve të Red Bull, u renditën dy makinat Mercedes me George Russell që zuri vendin e dytë ndërsa pas tij, vendi i tretë ishte për Lewis Hamilton. Një provë e mirë për skuderinë gjermane që tashmë duhet të mbajë ritmin edhe në garë teksa “Shigjetat e Arta” mbeten në kërkim të përmirësimit për t’u rikthyer te konkurrenca me Red Bull-in. Ndërkohë, Fernando Alonso dhe Aston Martin i tij nuk shkuan më shumë se vendi i katërt.

Megjithatë, piloti veteran në garë e ka vërtetuar se gjen ritmin e duhur. Vendi i pestë për Carlos Sainz me Ferrarin që vijon të mbetet larg kreut teksa piloti tjetër i talianëve, Charles Leclerc u rendit i shtati. Në mesin e dyshes Ferrari u pozicionua Lance Stroll. Sakaq, dhjetëshja e parë u plotësua nga Albon, Gasly dhe Hulkenberg.

Ndërkaq, vlen të theksohet se piloti i dytë i Red Bull Sergio Perez do të niset nga vendi i fundit pasi nuk mundi të regjistronte kohë si pasojë e një aksidenti në pjesën e parë të provave, ndërsa nga ana tjetër, edhe piloti vendas Oscar Piastri zhgënjeu turmën pasi nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i 16-të.

 


You may also like