Vdes Shyqyri Nimani, njeriu që shkroi në pergamenë deklaratën e Pavarësisë së Kosovës

by admin
Spread the love

Kosova humbi sot një prej simboleve të pavarësisë. Shyqyri Nimani, akademiku që shkroi në pergamenë Deklaratën e Pavarësisë, u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili kërkoi një minutë heshtje në nderim të veprës dhe jetës së tij. Konjufca e cilësoi Nimanin, si artist të madh dhe mjeshtër të artit në Kosovë, i cili siç tha la pas një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.

Piktor, dizanjator e pedagog, Nimani u bë kryesisht i njohur pasi vulosi në letër lindjen e shtetit të ri të Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Dokumentin më të rëndësishëm në historinë e një kombi i kërkuan ta realizonte brenda pak orëve. Me shumë durim dhe orë të gjata pa gjumë, arriti ta përfundonte në kohë, duke u kujdesur jo vetëm që të dukej sa më bukur estetikisht, por duke korrigjuar gabimet ortografike të tekstit origjinal.

I lindur më 6 maj 1941 nga një familje gjakovare, lë pas dy djem, Agonin dhe Alban Nimani, artist i njohur nga Kosova, bashkëthemelues i grupit “Asgjë Sikur Dielli”.

You may also like