Ushtria japoneze në gjendje gatishmërie për shkak të Koresë së Veriut

by admin
Spread the love

Japonia ka urdhëruar ushtrinë e saj të përgatitet që të rrëzojë raketa balistike të Koresë së Veriut, pasi Phenjani tha gjatë kësaj jave se është gati të lëshojë satelitin e parë të tij ushtarak të spiunazhit.

Vendosja e satelitit në orbitë do të kërkonte një predhë me rreze të gjatë, që Koresë së Veriut i ndalohet të lëshojë sepse Kombet e Bashkuara i shohin lëshime të tilla si teste të raketave balistike.

Më 22 prill, kryeministri japonez, Yasukazu Hamada, u tha Forcave për Vetëmbrojtje se “ka një mundësi për urdhërimin e masave shkatërruese ndaj raketave balistike”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Hamada udhëzoi ushtarët që “të zbatojnë masat e nevojshme për të kufizuar dëmet në rast se ndonjë raketë balistike do të bjerë”.

Ai urdhëroi përgatitjet për dislokimin e sistemeve SM-3, që janë për pengimin e raketave, por edhe të njësive ushtarake në Okinava, që mund të operojnë raketat Patriot PAC-3. Më 2012 dhe 2016, Koreja e Veriut kishte testuar raketa balistike që sipas Phenjanit ishin lëshime të satelitëve. Që të dy raketat kishin fluturuar mbi rajonin e Okinavës. Mediat japoneze raportuan se edhe më 2012, Ministria e Mbrojtjes kishte bërë përgatitje të ngjashme.

Koreja e Veriut nuk ka treguar se kur synon të lëshojë këto raketa. Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) u takuan gjatë kësaj jave dhe kërkuan nga Koreja e Veriut që të përmbahet nga lëshimet e mëtejme të raketave balistike, pasi gjatë këtij viti Phenjani ka intensifikuar testimet e raketave./REL


Top Channel

You may also like