UKRAINË – Hakerët paralizojnë kompaninë më të madhe të telefonisë celulare

by admin
Spread the love

KIEV, 12 dhjetor /ATSH-DPA/ – Operatori më i madh celular i Ukrainës është paralizuar nga një sulm kibernetik i paprecedentë.

“Në mëngjesin e 12 dhjetorit, rrjeti ‘Kyivstar’ ishte objektivi i një sulmi të fuqishëm hakerësh, i cili është shkaku i dështimeve teknike”, njoftoi kompania në X.

Kompania siguroi klientët se të dhënat personale nuk kishin rënë në duar të gabuara.

Në të gjithë vendin, lidhjet telefonike dhe interneti në rrjetin e ofruesit janë ndërprerë.

Faqja e internetit e kompanisë ishte gjithashtu e padisponueshme.

”Kyivstar” këshillon pajtimtarët të kalojnë në rrjetet e ofruesve të tjerë.

Pas pushtimit rus më shumë se 21 muaj më parë, u ra dakord për një tranzicion falas midis të gjithë operatorëve celularë ukrainas.

Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko tha se aksesi falas në internet ishte i disponueshëm në qendrat e ngrohjes të ngritura nga shteti.

Origjina e hakerëve ishte fillimisht e panjohur.

Sipas raporteve të mediave, ministri ukrainas i Infrastrukturës Olksandr Kubrakov tha se donte të eliminonte ndërprerjen e rrjetit në orët e ardhshme./   /os/

The post UKRAINË – Hakerët paralizojnë kompaninë më të madhe të telefonisë celulare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

You may also like