Ukrainasit sfidojnë sulmet ruse, e presin me brohoritje Vitin e Ri 2023

by admin
Spread the love

Ukrainasit brohoritën nga ballkonet e tyre duke mirëpritur vitin e ri, ndërsa mbrojtja ajrore e tyre u kundërpërgjigjej raketave dhe dronëve rusë, ndërsa Moska e filloi 2023-in duke sulmuar objektiva civilë anembanë Ukrainës.

Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës tha se kishte shkatërruar 45 drone Shahed të prodhuar nga Irani gjatë natës — 32 prej tyre të dielën pas mesnate dhe 13 në orët e vona të së shtunës.

Presidenti rus Vladimir Putin sinjalizoi se agresioni ndaj Ukrainës nuk do të ndalet, në një fjalim të zymtë dhe sfidues për Vitin e Ri që ishte në kontrast me mesazhin shpresëdhënës nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy që shprehu mirënjohje dhe unitet.

Ndërsa binin sirenat e paralajmërimit në Kiev, disa persona brohoritën nga ballkonet “Lavdi Ukrainës! Lavdi heronjve!”

Sulmet e natës shkaktuan dëme minimale në qendër në kryeqytetit dhe sipas njoftimeve paraprake nuk kishte të plagosur apo viktima, tha kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko në mediat sociale. Sulmet e së shtunës kishin goditur godina banimi dhe një hotel në kryeqytet, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur më shumë se 20 të tjerë.

Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink dënoi në Twitter sulmet ruse duke thënë se “Putini ende nuk e kupton se ukrainasit janë të hekurt.”/ Zëri i Amerikës


Top Channel

You may also like