Ukraina tërheq trupat nga Avdijivka – Shqip

by admin
Spread the love

Trupat ukrainase janë tërhequr nga qyteti në vijën e frontit, Avdijivka, në mënyrë që të shmangin rrethimin, njoftoi komandanti i ri i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, më 17 Shkurt. Me tërheqjen nga ky qytet në lindje, Kievi i ka dhënë fitoren më të madhe simbolike Rusisë, pas dështimit të kundërofensivës së Ukrainës verën e vitit të kaluar.

Për muaj të tërë, Rusia ka tentuar të marrë kontrollin e Avdijivkës. Marrja e këtij qyteti është fitimi më i madh i territorit për forcat ruse që kur ato morën qytetin lindor të Bahmutit Majin e kaluar dhe kjo fitore po ndodh pak para përvjetorit të dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

“Kam vendosur të tërheq njësitë tona nga qyteti dhe të ndryshoj mbrojtjen në vija më favorizuese”, tha Syrskiy përmes një postimi në Facebook.

“Ushtarët tanë kanë kryer detyrat e tyre ushtarake me dinjitet, kanë bërë gjithçka që kanë mundur për të shkatërruar njësitë më të mira të ushtrisë ruse dhe kanë shkaktuar dëm të madh tek armiku”.

Ky është vendimi i parë i madh i Syrskiyt që kur ai u emërua në postin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë më 8 Shkurt. Ai tha se këtë vendim e mori për të shpëtuar jetën e ushtarëve dhe për të parandaluar rrethimin e tyre.

Forcat ukrainase po përballen me presion në frontin lindor për shkak të mungesës së municioneve, përderisa një paketë e ndihmës ushtarake e Shteteve të Bashkuara në vlerë prej 60 miliardë dollarësh është bllokuar në Kongres.

Gjenerali Oleksandr Tarnavsky, që komandon ushtarët në zonën e Avdijivkës, tha se “në një situatë ku armiku po përparon mbi trupat e vdekur të ushtarëve të vet dhe ka avantazhin e sulmeve me granata, tërheqja ishte vendimi i vetëm i duhur”.

“U parandalua rrethimi, personeli u tërhoq dhe ushtarët tanë u vendosën në vijat e caktuara të mbrojtjes”, shkroi ai në Telegram.

Para se të jepej urdhri për tërheqje nga Avdijivka, Tarnavsyk tha të premten se disa ushtarë ukrainas ishin kapur nga forcat ruse. Beteja për qendrën industriale, që gjendet më pak se 10 kilometra në veri të qytetit të Donjeckut, të kontrolluar nga rusët, ka qenë një prej betejave më të përgjakshme në dy vjet luftë. Shumë e kanë krahasuar betejën për këtë qytet me atë të zhvilluar në Bahmut, ku u vranë dhjetëra mijëra ushtarë.

Avdijivka kishte afër 34.000 banorë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Shumica e qytetit është shkatërruar nga luftimet, por afër 1.000 banorë vazhdojnë të jetojnë atje, sipas autoriteteve lokale. Qyteti ka vlerë të rëndësishme historike dhe Moska shpreson që marrja e tij nën kontroll do t’ia bëjë më të vështirë Ukrainës që të bombardojë Donjeckut.

Avdijivka gjendet në rajonin ukrainas të Donjeckut, që Kremlini pretendon se është pjesë e Rusisë pas aneksimit që i bëri në vitin 2022. Ky qytet në Korrik të vitit 2014 ra nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, por ishte rimarrë shpejt nga Ukraina./REL

You may also like