Udinese dhe Lazio bëjnë paqe, Felipe Anderson i përgjigjet Deulofeut

by admin
Spread the love

Nuk ka fitues në sfidën Udinese-Lazio e cila përfundoi me rezultatin 1-1. Ekipet ndanë nga një pikë në këtë takim, ku golit të Deulofeu iu përgjigj Felipe Anderson në fundin e pjesës së parë.

Një pjesë e parë me dyfytyra për Lazion që u ndëshkua që në minutat e para të takimit. Gerard Deulofeu ndëshkoi kryeqytetasit në minutën e pestë të takimit. Një harkim në zonë u devijua nga Perez që gjeti të lirë Deulofeun. Ky i fundit nga shumë pranë portës nuk fali dhe e çoi topin në rrjetë.

Ishte sërish Udinese që pati një tjetër mundësi shënimi, këtë herë me Makengo, por goditja e tij ishte mbi traun e portës.

Më pas Lazio filloi të merrte në kontroll frenat e ndeshjes me Cabral që nuk shfrytëzoi disa raste që iu dhanë. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë, Felipe Anderson vendosi baraspeshën. Krosimi i Cataldit u devijua në zonë nga Zaçani, ndërsa topi shkoi në këmbët e Felipe Anderson. Ky i fundit me portën e boshatisur nuk mund të bënte asgjë tjetër veçse të shënonte.

Në pjesën e dytë, Lazio e nisi më e organizuar dhe kërkoi të përmbyste gjithçka që në minutat e para. Rasti i parë erdhi nga Jovane Cabral që tentoi të shtangte portierin kundërshtar, por goditja e tij nuk përfundoi në kuadratin e portës.

Megjithatë, ritmi i takimit ra ndjeshëm dhe të dyja ekipet u dukën të kënaqura nga pika e marrë. Rasti më i rrezikshëm u regjistrua në minutën e fundit të takimit me Molinën që lëshoi një “predhë” nga distanca, por për fatin e mirë të Strakoshës dhe Lazios, topi u ndal në shtyllë.

Një rezultat ky që nuk ndihmon asnjë nga ekipet për objektivat që kanë. Lazio ngjitet në kuotën e 43 pikëve dhe tashmë rrezikon edhe vendin e gjashtë nga Fiorentina që ka një ndeshje ende për të rikuperuar. Nga ana tjetër, Udinese nuk shkëputet dot nga zona e ftohtë dhe qëndron në vendin e 16-të me 25 pikë të grumbulluara katër më shumë se Cagliari që rrezikon nga zona që mund ta zbresë një kategori më poshtë. /oversport.tv

SERIE A – Java 26
Udinese-Lazio 1-1
Shënues:
Deulofeu 5’ / Anderson 45’

Foto: S.S. Lazio Twitter

You may also like