Uber zgjeron strategjinë e taksive, duke shtuar në aplikacion taksitë e verdha të New York City

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Uber Technologies Inc (UBER.N) tha sot se do të përfshijë taksitë e verdha karakteristike të New York City në aplikacionin e tij.

Kjo lëvizje shënon zgjerimin e fundit të kompanisë në tregun e taksive dhe mund të ndihmojë gjigantin e udhëtimit (ride-hailing) të zgjidhë problemin e mungesës së shoferëve në tregun më të madh amerikan.

Gjatë “investor day”* të fundit në shkurt, Uber theksoi se taksitë janë një mundësi e madhe për t’u rritur, duke e përkufizuar industrinë mjaft të fragmentuar prej 120 miliardë dollarësh, me 20 milionë automjete aktive – më shumë se pesë herë numri i bazës së automjeteve të Uber para pandemisë.

Kompania tha se planifikon të përfshijë çdo taksi në aplikacionin Uber brenda vitit 2025. Vitin e kaluar ajo shtoi 122.000 taksi të reja në platformë.

Kjo përfaqëson 3% të bazës së saj totale të shoferëve, në një moment kur po luftonte t’i mbante ata në mes të pandemisë.

Bashkëpunimi me New York City mund të arrijë deri në rreth 13.600 taksi në aplikacionin e Uber, nëse do të përfshihen të gjithë taksistë e regjistruara në qytet.

Sipas marrëveshjes së publikuar fillimisht nga “Wall Street Journal”, parashikohet që Uber të bashkëpunojë me shoqëritë software për taksi Creative Mobile Technologies e Curb. Synimi i Uber është të zgjerojë bashkëpunimin në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Pasagjerët do të paguajnë afërsisht të njëjtën tarifë për udhëtimet me taksi si për udhëtimet me Uber X, por shoferët e taksive do të paguhen sipas standardeve të pagave të “ride-hail” të Nju Jorkut, të cilat mesatarisht janë më të larta se tarifat e matura, tha Curb.

Prej vitesh, qyteti ka qenë një fushëbetejë mes Uber dhe shoferëve të taksive të verdha, të cilët e kanë kundërshtuar prej kohësh Uber, pasi ka pakësuar fitimet e tyre. Uber tha se ndërkohë ka përfshirë edhe taksi në Spanjë, Gjermani, Austri, Turqi, Korenë e Jugut, Hong-Kong dhe Kolumbi.

“Kur shikojmë pesë vitet e ardhshme, nuk shohim një botë ku taksitë dhe Uber ekzistojnë të ndara. Të dyja palët kanë shumë për të fituar” – tha Andrew Macdonald, zëvendëspresident i Uber për lëvizshmërinë.

*E njohur edhe si “analyst day”, një “investor day” është një takim publik ku bëhen prezantime nga CEO dhe nga përfaqësues të tjerë të kompanisë përballë një publiku, me qëllim azhurnimin e publikut mbi situatën dhe drejtimin e kompanisë

/ Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Monitor “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.

You may also like