FOKUS – Lituania i bashkohet thirrjes për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen

by admin
Spread the love



VARSHAVË, 26 prill /ATSH-DPA/ – Lituania i është bashkuar thirrjeve për më shumë shpenzime ushtarake nga vendet anëtare të NATO-s.

”Ne duhet të punojmë së bashku për të bindur partnerët tanë të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes”, tha presidenti lituanez Gitanas Nauseda në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij polak Andrzej Duda.

Të dy presidentët kishin marrë pjesë në një stërvitje të përbashkët ushtarake të forcave të armatosura të të dy vendeve në të ashtuquajturin “Suwalki Gap”, një zonë me rëndësi strategjike në krahun lindor të NATO-s.

Duda kohët e fundit propozoi që NATO-ja t’u kërkojë anëtarëve të saj të shpenzojnë të paktën 3% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen çdo vit.

Nauseda tha se ‘’ishte dakord me Dudën se objektivi aktual prej 2% të PBB-së nuk është i mjaftueshëm në këto kohë dinamike dhe të ndërlikuara”.

‘’Polonia shpenzon më shumë se 4% të prodhimit të saj ekonomik në mbrojtje, një synim që Lituania po synon gjithashtu’’, sipas Nauseda.

Hendeku Suwalki është një term për të përshkruar një rrip toke vetëm 70 kilometra të gjerë që shtrihet midis Bjellorusisë dhe enklavës ruse të Kaliningradit dhe përgjatë kufirit Lituano-Polak.

Një përparim teorik rus mund të ndajë shtetet baltike nga vendet e tjera të NATO-s./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.






Artikulli paraprakTrupa e baletit e TKOB, masterclass për kërcimin bashkëkohor


You may also like