U thye miti se Burim Berisha është i pamposhtur

by admin
Spread the love

Sipas rezultateve preliminare, Burim Berisha i LDK-së nuk arriti ta fitojë pushtetin në Fushë Kosovë për vetëm 14 vota në rundin e parë.

Megjithatë, me numërimin e votave me kusht dhe atyre të diasporës mund të ndryshojë ky rezultat, prandaj pritja e rezultateve përfundimtare është nën ethe për të dhe Enver Bajçincën e Vetëvendosjes, njofton Klan Kosova.

Ky i fundit shprehet optimist se votat e panumëruara do të jenë në favor të tij.

“Mendoj se do të jemi në balotazh, duke marrë parasysh votat me kusht dhe ato të diasporës. Vota me kusht janë 183 vota, prej të cilave mendojmë që një shumicë e madhe janë për ne meqë ne kemi udhëzuar komisionerët dhe vëzhguesit tonë që mos ta lënë vendvotimin, por të votojnë me kusht. 50 komisionerë dhe 50 vëzhgues janë 100 vota dhe po ashtu nga PDK, si opozitë, ka vota me kusht. Edhe votat e diasporës tradicionalisht janë vota për Vetëvendosjen dhe sipas informacioneve që kam janë diku 300 vota nga diaspora dhe mendoj që janë 70 përqind prej tyre janë vota për ne”.

Bajçinca në Sytë 7 ka thënë se pritjet i kishin më të larta për rezultatin e 17 tetorit, duke marrë parasysh zgjedhjet e 14 shkurtit. Por, ai thotë se zgjedhjet lokale janë më ndryshe për shkak se qytetarët mund të kenë interesa të drejtpërdrejta.

Derisa për organizimin e Vetëvendosjes për këto zgjedhje, Bajçinca tha se ishte më e mangët sesa kur kjo parti ishte në opozitë.

“Edhe kandidatura ime e vonë, dy ditë para se të mbyllet procesi i kandidimit ka qenë një periudhë e shkurtër, por jam adaptuar dhe kam punuar mjaft intensivisht. Sikur të kisha qenë më herët sigurisht rezultati do të ishte edhe më i mirë. Krejt jemi të pajtimi që kur Vetëvendosje ka qenë opozitë ka qenë më e organizuar për zgjedhje, por tashmë që është edhe në pushtet sikur e ka zgjeruar frontin me punët e shtetit dhe pak a shumë në organizim për zgjedhje shkon më ngadalë”.

Bajçicna është i bindur se nëse arrin të shkojë në balotazh gjasat do t’i ketë të mëdha për ta fituar udhëheqjen e Fushë Kosovës.

“Po thyhet miti se Burim Berisha është i pamposhtur në Fushë Kosovë. Ka shumë persona që besojnë verbërisht se nuk ka kush që ia merr pushtetin. Për ata mendoj se një pjesë e madhe nuk kanë dalë në votime, sepse pritjet kanë qenë për një pjesëmarrje më të lartë, por duke parë skepticizmin se “nuk mund të ndryshoj asgjë vetëm votën time” s’kanë dalë në votime. Tash besoj se ata do të motivohen, plus është një elektorat i opozitës”.

You may also like