U takon shteteve anëtare të vendosin për çështjen e anëtarësimit në KiE – Shqip

by admin
Spread the love

Më 3 prill, në Presidencën e Kosovës u zhvillua një takim mes tre krerëve shtetërorë, ambasadorëve të vendeve të QUINT-it dhe shefit të Zyrës së BE-së ku në fokus të diskutimit ishte procesi i Kosovës në kërkesën e saj për anëtarësim në Këshill të Evropës. Presidenca e Kosovës publikoi një fotografi me një informatë të shkurtë rreth temës, por nuk pati asnjë përditësim të mëtejshëm mbi këtë takim.

Pas suksesit në Paris në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, në Presidencë u mbajt një takim ndërmjet krerëve të shtetit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe ambasadorët e QUINT-it, si dhe shefin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, për të diskutuar mbi hapat e ardhshëm e të rëndësishëm për Kosovën në procesin e anëtarësimit.

Nga Zyra e BE-së në Kosovë kanë folur për Gazetën Express rreth këtij takimi, por duke ripotencuar atë që tashmë e ka thënë BE se për anëtarësimin ose jo të Kosovës në Këshill të Evropës vendosin vetë shtetet anëtare.

“Me ftesë të Presidentes së Kosovës, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadori i BE-së u takuan më 3 prill me Presidenten e Kosovës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin për të diskutuar procesin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. BE-ja përsërit se u takon shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj”, tha Zyra e BE-së.

Para se kërkesa e Kosovës të ishte e suksesshme në në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës ku u miratua raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet se Kosova ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar në KiE, shtetet e QUINT-it vazhdimisht kishin përsëritur se suksesi i Kosovës në organizatën paneuropiane për të drejtat e njeriut ishte i lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit.

Për të përshpejtuar këtë proces, kryeministri Albin Kurti hoqi dorë nga kundërshtia për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për këtë çështje dhe muajin e kaluar urdhëroi Kadastrin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit.

Këtë vendim të tij e mirëpritën ambasadorët e QUINT.

“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mirëpresin dhe përgëzojnë qeverinë e Kosovës për veprimin për të zbatuar vendimin e Gjykata Kushtetuese të vitit 2016, që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit të disa hektarëve tokë. Udhëzimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të regjistruar këtë tokë në emër të Manastirit të Deçanit dhe sigurimi që ky veprim është përmbyllur paraqet hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve kosovare në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike. Siç kemi deklaruar në maj të vitit të kaluar në përvjetorin e vendimit të Gjykata Kushtetuese, zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhej në deklaratë.

Sidoqoftë, Kosova ka ende rrugë përpara në ambicien e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngjarja kryesore do të jetë pikërisht kërkesa e Kosovës për anëtarësim.

“Një debat mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe votimi i një projekt-opinioni, do të jetë një ngjarja kryesore e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), që do të mbahet në Strasburg më 15-19 prill 2024”, u tha në njoftimin e fundit të Asamblesë.

You may also like