Tudor: Jemi stërvitur pak, por jemi gati për një derbi siç na takon

by admin
Spread the love

Igor Tudor mori drejtimin e Lazios vetëm pas mesit të muajit mars, duke zëvendësuar Maurizio Sarrin, megjithatë kalendari i ka ofruar menjëherë impenjime mjaft të rëndësishme.

Kështu pas dopio-sfidës me Juventusin, në kampionat dhe gjysmëfinalen e parë të Kupës, vjen menjëherë derbi i kryeqytetit, përballja me rivalen e urryer, Romën, që do të zhvillohet të shtunën në orën 18:00 në “Olimpico”.

Tekniku kroat është shfaqur mjaft optimist në prag të derbit të tij të parë në pankinën e bardhekaltërve, megjithatë ka pranuar se do të donte disa seanca stërvitore më shumë.

“Në fillim ndërprerja e kampionatit dhe tani 3 ndeshje të forta në harkun kohor të 7 ditëve, natyrisht që nuk na kanë lejuar të stërvitemi ashtu siç duhet. Nuk mund të përmirësojmë shumë gjëra me pak stërvitje, megjithatë besoj te futbollistët dhe jam i bindur që do të bëjmë shumë mirë ndaj Romës”, shprehet Tudor.

Trajneri kroat rrëfen se po e përgatit derbin i izoluar në qendrën stërvitore të Lazios, teksa nuk ngurron të komplimentojë edhe De Rossin për punën e bërë te Roma.

“Gjatë kësaj kohe kam punuar i izoluar në qendrën stërvitore dhe nuk e di ç’po bëhet në qytet, por kam luajtur shumë derbi si trajner e si futbollist, ndaj e kuptoj fare mirë atmosferën që krijohet në raste të tilla. De Rossi ka bërë një punë shumë të mirë te Roma dhe do të jetë e vështirë, por shoh një bindje te futbollistët e mi për të bërë mirë, që më shton edhe më shumë optimizmin”, theksoi Tudor.

You may also like