Trinjakët e Kosovës: Kontesti, Konteksti dhe Kompleksi

by admin
Spread the love
Iljasa Salihu

Ajo që këtë qeveri e vë në siklet të madh është qëndrimi zyrtar amerikan, që në këtë kontest dhe kontekst nuk është në krahë të kësaj qeverie. Volteri dikur thoshte: “Është e rrezikshme të kesh të drejtë kur qeveria e ka gabim”! Ndërsa në qerthullin tonë do të thosha se është e rrezikshme të kesh të drejtë kur miqtë tanë ndërkombëtar e kanë gabim.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup

Rendi dhe radha është që Kosova tashmë të ketë rend, ligj dhe rregull. Ta dëshmojë mëvetësinë e saj, ngaqë para 14 vjetësh e patë deklaruar pavarësinë e saj. Tani i duhet vetëm dëshmia në jetën e përditshme dhe në çdo cep të vendit. Më shumë se 14 vjet u ledhatuan dhe u lutën serbët e Kosovës që të integrohen në Kosovë, madje u shpenzuan edhe miliona euro, mirëpo u pa se ata sërish zemrën dhe sytë i kanë kah dinarët e shtetit fqinj, njëherësh duke mos i refuzuar edhe eurot në shtetin e kontestuar. Sidoqoftë, kjo qeveri duket e vendosur që gjërave do t’i shkojë deri në fund, madje duke e shfrytëzuar këtë mësymje legjitime edhe për diçka më të madhe. Është pamendësi të jetosh në Kosovë e ta paguash regjistrimin e veturës jashtë Kosove, duke u pajisur kështu me dokumente që cenojnë sovranitetin e shtetit ku jeton. Madje siç shkruan edhe gazetari Ismail Sinani se në Kosovë duket se po krijohet një kontest për të pasur kontekst me të cilin do të zgjidhet një problem kompleks. Kontesti është më se i nevojshëm, sepse nuk ka mundësi ndryshe të krijosh një kontekst, kurse përmes krijimit të kontekstit mund të shkosh më lehtë deri në zgjidhje, por nuk duhet harruar se mund të shkosh edhe deri në katrahurë, krahas zgjidhjes së një problemi kompleks, por edhe si katrahurë ndoshta e nevojshme, krahas kësaj amullie të pambarimtë. Megjithatë, duket se kontesti dhe konteksti tashmë janë krijuar. Mirëpo, pikërisht tani, Kurti nuk duhet të lëshojë pe përkundër presioneve të atyre që e braktisën institucionin e shtetit ku punonin. Në kuptimin e tolerancës, mjaft ishte, jo vetëm për ata që merrnin rrogën e Kosovës dhe i shërbenin Serbisë, por mjaft ishte edhe durimi i Kosovës ndaj të papërmirësueshmëve. Madje, tani po mundohen të hedhin paralele me vitet e ‘90-ta, kur shqiptarët (pak ata shqiptarë që ishin të punësuar) me të drejtë nisën t’i braktisin institucionet në shenjë pakënaqësie dhe proteste ndaj dhunës serbe që çdo ditë ushtrohej mbi shqiptarët e pambrojtur. Tani jo që nuk kemi dhunë ndaj serbëve, por ledhatim deri në përdhosje, aq sa nuk e kanë ndërmend t’i thërrasin mendjes, mu sikurse fëmija që prej të mirave të shumta është nisur drejt rrugës së keqe.

Ajo që këtë qeveri e vë në siklet të madh është qëndrimi zyrtar amerikan, që në këtë kontest dhe kontekst nuk është në krahë të kësaj qeverie. Volteri dikur thoshte: “Është e rrezikshme të kesh të drejtë kur qeveria e ka gabim”! Ndërsa në qerthullin tonë do të thosha se është e rrezikshme të kesh të drejtë kur miqtë tanë ndërkombëtar e kanë gabim. Atyre sikur nuk u mjaftuan 14 vjet dëshmi se serbët e Kosovës janë viktima të Beogradit zyrtar dhe se nëse vazhdohet me të njëjtin durim, atëherë nuk mund të priten rezultate të ndryshme. Henry de Jouvenel thotë: “Një shoqëri delesh, herët ose vonë do të krijojë një qeveri ujqërish”! Në kontekstin tonë do të thosha se një qeveri delesh, herët ose vonë do të krijojë një shoqëri ujqërish, ku masa e ulërimës së tyre do të varej prej deleve të kollofitura. Nuk është lehtë t’u përmbahesh parimeve dhe dëshirës për të vendosur rend, rregull dhe ligj në tërë territorin e Kosovës, në kohën kur në formë të prerë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thotë: “I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat (për qytetarët serbë në veri), që të zgjasë për dhjetë muaj afatin e riregjistrimit të makinave dhe të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e asociacionit”! Kjo deklaratë e vendos këtë qeveri në një djersitje të qullosur, ngaqë të mos e dëgjosh mikun që si në kohë të vështira të është gjendur në krahë, po ashtu edhe në të sotmen ende të gjendet pranë, por në anën tjetër si të dalësh kundër vetes, kundër interesit të vendit apo kundër qëndrimit që tërë karrierën politike dhe ideologjike e ke ndërtuar mbi themelin e këtij qëndrimi. Tani nëse e thjeshtësojmë pak mendimin tonë i bie që Amerika është PËR themelimin e Asociacionit, kurse Albini është KUNDËR themelimit të Asociacionit. Kësodore, nëse dështon themelimi i asociacionit, atëherë thyhet një mit dhe vendosen disa rregulla të tjera në Kosovë, kurse nëse themelohet, atëherë 17 shkurti do të vazhdojë të jetë data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, porse dëshmia e saj e plotë në jetën e përditshme ende nuk duket mirë.

Takimet trepalëshe në sytë e trinjakëve të Kosovës po ndodhin, mirëpo thelbi që është njohja e ndërsjellë nuk është punë të ndodhë. Madje edhe nëse nxitet të ndodhë, nuk është punë t’ju shmanget rrugës së themelimit të Asociacionit. Tani, nëse integrimi i pjesës veriore mëtohet të shkëmbehet me themelimin e Asociacionit, sërish nuk kemi zgjidhje ose sërish kemi të bëjmë me një zgjedhje të keqe. Kjo, disi, i ngjan mjekut, i cili pas një operimi të suksesshëm në fund të ditës kujtohet se gërshërët i paska harruar në barkun e pacientit. Në njëfarë mënyrë, themelimi i Asociacionit është “harresë” e gërshërëve në “barkun e Kosovës”. /shenja

You may also like