TRIESTE – Bucci: Shqipëria porta hyrëse për të gjithë Ballkanin

by admin
Spread the love

TRIESTE, 24 janar /ATSH-ANSA/ – Rreth gjysma e të gjitha kompanive të huaja në Shqipëri janë italiane, shkëmbimet tona me këtë vend përbëjnë 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, thënë ndryshe 3,6 miliardë euro, ndërkohë që jemi të pranishëm në të gjithë sektorët, deklaroi në një intervistë për ANSA-n ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, në kuadër të Konferencës për Ballkanin, që po zhvillohet në Trieste.

”Ne jemi të pranishëm në sektorin energjetik, infrastrukturor apo të teknologjive të reja, që janë ndër sektorët më premtues”, shtoi ai.

”Qeveria shqiptare dëshiron të kalojë nga call center-at, të cilat bëjnë shumë shërbime për kompanitë italiane, te qendrat digjitale, që është sektor për të cilin ka shumë interes nga ana italiane”, theksoi Bucci.

”Ideja e Shqipërisë është që ajo të bëhet Singapori i Ballkanit, një vend i vogël, por me potencial të madh”, tha ai.

”Shqipëria është porta hyrëse për të gjithë Ballkanin dhe anëtarësimi i saj në BE ka një vlerë themelore, pasi ne nuk po flasim më nëse do të ndodhë një gjë e tillë, por kur do të ndodhë”, përfundoi ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, në një intervistë për ANSA-n./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like