Transferta delikate për Teutën dhe Dinamon, supersfida e ditës luhet në Laç

by admin
Spread the love

Do të luhen sot 3 takime që do të mbyllin javën e 18-të të kampionatit shqiptar të futbollit. Supersfida e ditës së sotme do të zhvillohet në orën 13:45 në stadiumin e Laçit, aty ku skuadra vendase do të përballet me Partizanin.

Kurbinasit (bashkë me Tiranën) janë një nga skuadrat më në formë të kampionatit dhe falë rezultateve të arritura në javët e fundit (13 pikë në 5 ndeshjet e fundit) janë ngjitur në vendin e dytë në renditje. Të besuarit e Josës synojnë fitoren e radhës në sfidën e sotme kundër “të kuqve”, që të blindojnë pozicionin që kanë në klasifikim.

Partizani nuk po kalon ditët e tij më të mira. Kryeqytetasit janë larg objektivave sezonalë dhe në transfertën e sotme kërkojnë një rezultat pozitiv që të mos humbasin kontaktin me zonën që të çon në Kupat e Europës.

Në të njëjtin orar (13:45) do të luhet edhe takimi Egnatia-Dinamo. Vendasit kanë nevojë jetike për pikë, që të mbajnë gjallë shpresat për të qëndruar mes më të mirave të Shqipërisë. Edhe Dinamo nuk po zhvillon një sezon të mirë dhe në transfertën e sotme në Rrogozhinë synon kthesën e madhe, që ti largohet zonës së ftohtë.

Në orën 16:45 do të luhet në “Elbasan Arena” sfida Skënderbeu-Teuta. Dy skuadrat luajtën në mesjavë në Kupë, por kushtet e vështira atmosferike në Korçë kanë detyruar drejtuesit korçarë që të spostojnë sfidën në një stadium më të përshtatshëm.

Pas 4 humbjeve radhazi, Teuta synon kthesën e madhe në kampionat, ndërsa Skënderbeu synon fitoren që ti largohet zonës që të zbret një kategori më poshtë. / Oversport.tv

You may also like