Tragjedia e nëndetëses, regjisori i “Titanic”: OceanGate ishte paralajmëruar se po shkonte drejt katastrofës

by admin
Spread the love

Humbjen e nëndetëses Titan e kam ndjerë në kockë. E thotë njeriu që ka realizuar 33 zhytje në rrënojat e titanikut, dhe që i ka kushtuar një film historisë së anijes së mbytur në vitin 1912. James Cameron thotë se kishte mësuar vetëm të hënën për zhdukjen e nëndetëses, dhe se menjëherë kishte dyshuar për një katastrofë.

“I vetmi skenar që me erdhi në mend, ishte ai i një shpërthimi. Një valë tronditëse aq e fortë, sa që ka nxjerrë jashtë funksionit sistemin sekondar që ka presion dhe bateri më vete, të cilin anija mund të përdorte për të gjurmuar vendndodhjen e nëndetëses”, thotë regjisori.

Cameron, i cili është pjesë e një komuniteti të vogël zhytësish, tregon se kishte qenë gjithmonë skeptik për sipërmarrjen e kompanisë OceanGate. Sipas tij, projektimi me fibër karboni dhe titan i trupit të nëndetëses që besohet të ketë shpërthyer gjatë një ekspedite pranë mbetjeve të Titanikut, ishte i rrezikshëm.

Ai thotë madje se kompania ishte paralajmëruar përmes një letre, se me iniciativën për të realizuar ekspedita në 3800 metra thellësi, po shkonte drejt katastrofës.

“Nuk kam besuar kurrë në atë teknologji të fibrës së karbonit. Mendoj se ishte një ide e tmerrshme. Duhej të kisha folur më herët, por mendoja se dikush do të ishte më i zgjuar se unë, pasi nuk e kam eksperimentuar atë teknologji. Ne duhet t’i gëzohemi inovacionit, por nuk mund të përdoret një pajisje eksperimentale për pasagjerë qe paguajnë shumë të mëdha parash dhe nuk janë ekspertë të thellësive”, thotë regjisori.

Cameron u bë një eksplorues i thellësive në vitet 1990, teksa zhvillonte kërkime dhe realizonte filmin e suksesshëm “Titanik”. Ai është pjesë e Triton Submarines, që realizon nëndetëse për kërkime dhe turizëm. Regjisori sheh ngjashmëri ironike mes mbytjes së titanikut, dhe nëndetëses së OceanGate duke thënë se në të dyja rastet, tragjedia kishte ardhur pas shpërfilljes së paralajmërimeve.

You may also like