“Tortura mesjetare”, rrëfimi tronditës i 33-vjeçares iraniane që u fshikullua 74 herë për mosmbajtjen e shamisë

by admin
Spread the love

Në moshën 33-vjeçare, Roya Heshmati, një iraniane me origjinë kurde, është kthyer në një ikonë botërore.

Këmbëngulja e saj për t’iu kundërvënë shtetit shtypës dhe teokratik të Iranit duke zgjedhur të ecë rrugëve të Teheranit me kokën zbuluar, e bëri atë të vuante torturat mesjetare. Ajo u godit me kamxhik 74 herë. Sot, fytyra e saj është bërë fytyra e çdo gruaje që dëshiron të jetojë e lirë.

Heshmati, e lindur në Khanadaz dhe e diplomuar në Universitetin Kurdistan në provincën kurde të Iranit, u fotografua në prill duke ecur në rrugët e Teheranit, ku ajo jeton, pa hixhab. Dënimi i saj fillestar parashikonte 13 vjet e 9 muaj burg. Pasi avokati i saj apeloi, gjykata vendosi që ajo të goditet me kamxhik 74 dhe të paguajë një gjobë të barabartë me rreth 225 dollarë. Para gjykatës, Heshmatit iu dha mundësia të “pendohej”. Ajo u shfaq edhe aty pa shaminë në kokë, të cilën dy zyrtare femra u përpoqën t’ia vendosin disa herë, por ajo e largoi nga koka. Policet e prangosën dhe ia vendosën me zor shaminë. Kështu, ajo u dërgua në atë që ajo e përshkruan si një “dhomë torture mesjetare” për t’u fshikulluar pa mëshirë për “propagandë kundër regjimit”. Megjithatë, regjimi iranian pretendon se arsyeja pse Heshmati u dënua me fshikullim nuk ishte fakti që ajo kishte postuar foto të saj pa shami në rrjetet sociale, por se kishte marrë para nga disa organizata ndërkombëtare për ta bërë këtë. Hesmati është aktivist, por kjo deklaratë bie ndesh me atë që u tha në sallën e gjyqit.

Gjykatësi para të cilit u dërgua 33-vjeçarja i tha asaj, sipas mediave iraniane, se ai nuk donte ta dënonte atë dhe i kërkoi asaj të mos ishte “kokëfortë” dhe të mbante hixhabin. Të njëjtën gjë bënë edhe avokati dhe punëdhënësi i saj, duke i kërkuar që të mos tregohet kokëfortë.  Kur ajo refuzoi, ai e pyeti se pse nuk shkon të jetojë në një vend tjetër, përveç Iranit, që do ta lejojë atë, dhe ajo u përgjigj se “ky vend është për të gjithë qytetarët”. Gjykatësi u përgjigj: Unë jam me ju, por ky është ligji dhe duhet ta zbatojmë. Ai u kërkoi zyrtarëve që do të zbatonin dënimin, por që të mos e godasin me forcë. Megjithatë, shenjat në trupin e saj nuk tregojnë një gjë të tillë…

Përshkrimi i saj me postimin e ri në rrjetet sociale, tregon se çfarë tortura ka përjetuar.

“Sot më thirrën për të kryer dënimin me 74 goditje kamxhik, shkova në burg me avokatin dhe hoqa hixhabin kur hymë. Stafi më tha “mbaj shallin që të mos ketë problem”. Unë thashë “Unë jam këtu për të marrë goditjet me kamxhik veç për këtë gjë. Unë nuk do ta vesh atë. Thirrën nëpunësin ekzekutiv dhe ai erdhi dhe tha “vëre shaminë dhe më ndiq”.

Unë i thashë “nuk do ta vesh” dhe ai më tha “Mirë, do të të fshikulloj që të dish se ku qëndroni. Do të hap një çëështje të re që të kthehesh për të marrë edhe 74 goditje të tjera. Nuk e mbajta ende shaminë. Zbritëm shkallët dhe erdhën dy gra me çadorë (qese plehrash siç i themi ne këtu) dhe më vunë shallin në kokë. E nxora përsëri. Kjo u përsërit dhe më prangosën dhe më vunë shallin në kokë. Në katin e poshtëm ishte një dhomë pranë parkingut të gjyqtarit.

Hapën një derë metalike, ishte një dhomë betoni. Kishte një shtrat në fund të dhomës me pranga për duar dhe këmbë. Ishte një dhomë torturash mesjetare. Gjyqtari më pyeti a jeni mirë, a keni ndonjë problem? Nuk iu përgjigja. Ai më tha, ‘po flas me ty’, dhe unë prapë e injorova.

Torturuesi tha hiqe xhaketën. Hoqa pallton dhe shallin dhe i vara. Më tha “vendos shallin”. Unë iu përgjigja: “Nuk dua. Vëre Kuranin nën krah dhe bëje”. Njëra nga gratë më tha të mos tregohem kokëfortë dhe ta vendos. Më pas ma vuri shallin në kokë. Burri filloi të më fshikullonte në shpinë, shpatulla, këmbë, kavilje. Po pëshpëritja “në emër të lirisë së gruas, çlirohu nga skllavëria, nata jonë më e errët do të bëhet mëngjes,çdo kamxhik do të bëhet sëpatë”.

Sapo mbaruan, kur dola nuk i lashë të besonin se kisha dhimbje. U ngjitëm lart, ku ishte gjyqtari. E hoqa përsëri shaminë. Gruaja u përgjërua dhe tha “ju lutem vendosni shaminë tuaj”.  Gjyqtari tha “as ne nuk jemi të kënaqur me këtë, por dënimi duhet të kryhet”. Nuk iu përgjigja dhe më tha “nëse do të jetosh ndryshe, mund të largohesh nga vendi”. Unë thashë “ky vend është për të gjithë”. Ai më tha “OK, por ne duhet të zbatojmë ligjin.” Unë iu përgjigja “Ligji bën çfarë të dojë, ne do të vazhdojmë të rezistojmë”. Ne dolëm nga dhoma dhe hoqa përsëri shallin”, ishte rrëfimi i Roya Heshmatit.

Tortura mizore e gruas për mosmbajtjen e mbulesës islame ngjalli një valë reagimesh në rrjetet sociale, ku gazetari dhe aktivisti iranian, Abbas Abdi, tha se “rrahjet me kamxhik nuk kanë të bëjnë vetëm me trupin e një gruaje, por të të gjithë atyre që ëndërrojnë një jete të lirë”.

 


Top Channel

You may also like