Themelohet Grupi Konsultativ për Sportin

by admin
Spread the love

Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se është themeluar Grupi Konsultativ për Sportin, me të cilin synohet këshillimi i ministrit dhe mbikëqyrja e politikave dhe programeve zhvillimore të sportit.

“Kemi hyrë në vitin më sfidues të mandatit në fushën e sportit. Ka nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sportit, ndërsa së shpejti nis rishikimi i Ligjit për Sportin”, ka shkruar Çeku në Facebook.

“Brenda pak ditësh, hyn në fuqi Udhëzimi Administrativ për licensimin e federatave, proces që do të zbatohet muajve në vijim. Pas disa projekteve të suksesshme, jemi në finalizim të programit për masivizimin e sportit, me fokus te fëmijët dhe të rinjtë”.

“Do të bëjmë zgjidhje për projektet e infrastrukturës sportive që kanë histori të palavdishme, ndërsa do t’i nisim projektet e reja shumë të nevojshme”.

Ai shtoi se krahas rritjes së mbështetjes financiare për federatat, po zhvillohet edhe modeli për financim të qëndrueshëm të klubeve të sportit.

“Krahas rritjes së mbështetjes financiare për federatat e sportit, jemi duke e zhvilluar modelin për financim të qëndrueshëm të klubeve të sportit”.

“Për zbatimin e këtij plani sfidues i kemi mobilizuar të gjitha kapacitetet tona të brendshme, po punojmë në partneritet të ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, ministritë përkatëse të linjës, federatat e sportit, profesionistët e Kosovës dhe ata të jashtëm”.

“Për t’i shtuar kapacitetet zbatuese, sot kemi themeluar Grupin Konsultativ për Sportin, që në përbërje ka profesionistë të dëshmuar të sportit. Mandati i anëtarëve të këtij grupi, veç tjerash, është të këshillojnë ministrin e Sportit dhe të mbikëqyrin zbatimin e politikave dhe programeve për zhvillimin e sportit”.

Grupi Konsultativ për Sportin përbëhet nga Edmond Azemi (drejtor sportiv në KB Prishtina) Uta Ibrahimi (alpiniste), Bylbyl Sokoli (profesor universitar, njohës i futbollit), Jeton Oruqi (nën-kryetar i Federatës së Pingpongut të Kosovës), Agon Fehmiu (gazetar i sportit), Njomza Emini (kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës), Nazmi Paqarada (njohës i basketbollit , ish-sekretar i përgjithshëm në FBK), Besim Aliti (sekretar i përgjithshëm në Komitetin Olimpik të Kosovës), Besnik Thaqi (nënkryetar i Federatës E-Sports Kosova), Resmije Juniku (veterane e sportit, ish-basketbolliste dhe trajnere).

You may also like