“The New Zealand Herald”: Zbuloni Shqipërinë, perla e fshehur e Evropës në prag të një bumi turistik

by admin
Spread the love

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ – Në këto ditë të turizmit masiv me atraksione të mbipopulluara dhe radhë të gjata, është e vështirë të gjesh një destinacion të pazbuluar në Evropë, por gazetarja Pauline Ray ka gjetur një të tillë: Shqipërinë.

Shqipëria është në prag të “zbulimit”, kryesisht nga evropianët që po tërhiqen nga çmimet e përballueshme dhe qytetet e saj historike, malet e bukura, liqenet dhe plazhet.

Njerëzit e shmangën Shqipërinë për vite me radhë për shkak të historisë së saj të trazuar: vite të mbyllura nga regjimi komunist nën drejtimin e diktatorit Enver Hoxha.

Por që nga vdekja e tij në 1985, vendi ka mirëpritur gradualisht turistët.

Në vitin 2009, 1,9 milionë turistë udhëtuan drejt Shqipërisë. Këtë vit ata presin të arrijnë në nivelet e para-Covid-it prej 6,4 milionë, dhe 10 milionë vizitorë deri në vitin 2025.

Sigurisht, në udhëtimin tonë nëntëditor në qershor, ne pamë grupe turistësh gjermanë dhe suedezë.

Evropianët po blejnë gjithashtu apartamente të reja buzë detit në qytete turistike si Saranda, që me naivitet prisja të ishte një fshat i vogël bregdetar, por doli të ishte më shumë si Bregu i Artë.

Zyrtarët e qeverisë italiane kohët e fundit kritikuan bashkëqytetarët e tyre që zgjodhën Shqipërinë si destinacionin e preferuar të pushimeve të këtij viti, në vend të vendpushimeve kryesore italiane si Puglia, ku shezllonet kushtojnë 35-50 euro në ditë.

Pra, çfarë ka Shqipëria për t’i ofruar udhëtarëve me distanca të gjata? Ajo ka qytete të bukura, njerëz miqësorë dhe çmime të ulëta, veçanërisht në krahasim me fqinjët e saj të profilit të lartë, Italinë dhe Greqinë.

Shqipëria ka gjithashtu peizazhe mahnitëse, pasi ajo është 70 për qind vend malor dhe ka një numër qytetesh të mbrojtura nga Unesco dhe vende arkitekturore historike që dëshmojnë për pushtimin e saj prej vitesh nga romakët, grekët dhe osmanët.

 

Qytetet dhe qytezat e tërheqëse

Tirana, duke qenë kryeqyteti i një vendi me një regjim antikapitalist për dekada, nuk pati restorante dhe bare deri në vitet 1990.

Pas një bumi ndërtimesh në vitet 2000, qyteti tani ka një popullsi prej 560 000 banorësh dhe tani është mishërimi i një qyteti modern evropian me bare dhe restorante të mrekullueshme.

Qendra është kryesisht e pedonalizuar dhe është një kënaqësi për të ecur përreth. Ne ishim atje në një mot të qetë të fillimit të verës dhe vendasit frekuentonin baret në trotuar dhe shijonin ushqimet në afresk.

Rrugët ishin me gjethe dhe të rinjtë mbanin veshur rroba të modës.

Ata ishin të krahasueshëm me të rinjtë e çdo qyteti evropian, apo në të vërtetë të Zelandës së Re.

Arkitektura moderne ishte e guximshme dhe novatore, dhe ne vizituam Piramidën, një strukturë e madhe që Hoxha e kishte nisur si një memorial për veten e tij.

Tani do të përdoret si një qendër ngjarjesh dhe arti.

Turistët dhe vendasit mund të ngjiten në 270 shkallët për të shijuar pamjen mahnitëse të qytetit.

Përreth qytetit, ka kujtime të historisë së zymtë të Shqipërisë. U nisëm me naivitet drejt BunkArt1, duke menduar se ishte një galeri arti nëntokësore.

Por jo, ishte një histori e policisë sekrete, gjatë shekullit XX, me korridore ekspozitash duke përfshirë një dhomë kontaminimi, shumë qeli dhe një video shumë prekëse për një grua që ishte dërguar në një “kamp riedukimi”.

Është një kujtim i guximshëm i të kaluarës së trazuar të vendit, por ne mundëm të kalonim vetëm disa korridore përpara se të arratiseshim në ajrin e pastër dhe rrezet e diellit.

Megjithatë, nuk mund t’i shpëtosh të shkuarës së trazuar të Shqipërisë për një kohë të gjatë, pasi ka më shumë se 170 000 bunkerë në të gjithë vendin.

Ka shumë kujtime të historisë ndërsa udhëtoni përreth. Ne vizituam Berovën, një fshat ku i gjithë fshati ishte shkatërruar nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore.

Në grykën e Barmashit pamë një monument të madh, ku ishte zhvilluar një betejë mes 300 luftëtarëve partizanë dhe një regjimenti elitar gjerman.

Partizanët i zunë pritë regjimentit, por të nesërmen u kthyen më shumë gjermanë dhe fshinë të gjithë fshatin, madje edhe kafshët shtëpiake.

Qytetet historike

Vizituam Gjirokastrën dhe Beratin, dy qytete me bukuri të rrallë.

Berati është një qytet piktoresk i njohur si qyteti i 1 000 dritareve, për shkak të shtëpive në breg të kodrës që kanë dritare të larta vertikale.

Gjirokastra u bë e famshme nga “Kronikë në Gur”, romani i vitit 1971 i Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të njohur shqiptar.

Ajo njihet si Qyteti i Gurtë për shkak të shtëpive me çati me rrasa, trarët e brendshëm prej druri të të cilëve duhet të ndërrohen çdo pesë vjet për shkak të peshës së çatisë.

Ne vizituam Shtëpinë e Zekatëve, një nga shembujt më madhështor të arkitekturës osmane në Shqipëri.

Të dy qytetet kanë kështjella, të cilat ia vlen të ngjitesh në këmbë.

Shqetësimet e sigurisë nuk janë parësore, por një kështjellë kishte një shenjë në muret e saj të pjerrëta alarmante “ju lutemi dilni nga kalaja nga porta”.

Peizazh i mrekullueshëm

Si një vend malor, Shqipëria është gjithashtu e mbushur me liqene, lumenj dhe përrenj të qetë.

Ka shumë shtigje ecjeje, por vizitorët vijnë kryesisht për plazhe.

Ndër më të njohurit janë Ksamili dhe Gjipeja: plazhe ranor dhe të izoluar.

Ato përmbajnë ujëra të pastër bruz. Ne shijuam notin më të mirë që kemi bërë, jashtë Zelandës së Re.

Ushqim i shijshëm i bollshëm, flora dhe fauna

Vendi është jashtëzakonisht produktiv dhe vakti jonë përmbante peshq të shijshëm si levreku, domate dhe luleshtrydhe të mëdha, të cilat shiteshin buzë rrugës.

Fermerët vendas kultivojnë qershi, fiq, luleshtrydhe dhe rrush.

Në një fshat të vogël, na gostitën me reçel me petale trëndafili, një ëmbëlsirë e shijshme ekzotike.

Lulet e egra ishin të bukura dhe të përhapura në të gjithë fshatin, duke përfshirë lulen kombëtare, gjineshtra.

Ata kultivojnë gjithashtu sherebelë, e cila eksportohet në SHBA dhe Francë për t’u përdorur në prodhimin e ilaçeve.

Çmime te arsyeshme

Një tjetër tërheqje janë çmimet e arsyeshme të Shqipërisë për ushqim dhe akomodim.

Rrallëherë shpenzonim më shumë se 60 dollarë për tre persona për një vakt kryesor.

Akomodimi është gjithashtu më i lirë se rivalët si Kroacia, Greqia dhe Italia.

Ne qëndruam në hotel me tre yje, i cili ishte komod.

Historia

Adhuruesit e historisë kanë shumë vende për të zgjedhur, pasi Shqipëria u pushtua nga shumë kultura, duke përfshirë osmanet, romakët, grekët dhe më vonë nga italianët dhe gjermanët.

Dy vendet që vizituam ishin Apollonia dhe Butrinti, i cili është vendi kulturor më i vizituar në vend.

Apollonia u themelua në vitin 588 nga grekët e Korintit dhe u rrit shpejt në 50 000 banorë në shekullin II para Krishtit.

Arkeologët austriakë filluan gërmimin e vendit gjatë Luftës së Parë Botërore dhe francezët më vonë vazhduan punën në vitet 1920 dhe 1930.

Ndërsa arkeologët shqiptarë kanë bërë përparim gjatë dekadave të fundit, pjesa më e madhe e këtij qyteti antik mbetet i varrosur në një kodër aty pranë.

Butrinti ka qenë i pushtuar të paktën që nga shekulli i VIII para Krishtit, por në fillim të shekullit të XIX, ai ishte zvogëluar në një fshat të vogël peshkimi të grumbulluar rreth një kështjelle veneciane.

Vendi i mbrojtur nga UNESCO ofron është një udhëtim të jashtëzakonshëm nëpër epokat e historisë.

Trashëgimia e tij ruan një dëshmi unike të kulturave dhe qytetërimeve helenistike, romake, bizantine, veneciane dhe osmane. //a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like