Tetë pikë larg nga Reali, por Laporta nuk dorëzohet: Shkojmë për titullin

by admin
Spread the love

Barcelona kampione në fuqi dhe Reali i Madridit kryesues në këtë sezon në La Liga ndahen me 8 pikë mes tyre. “Los blancos” duket se do të kthejnë titullin në Madrid, por katalanasit besojnë ende te mrekullia dhe se mund të rikuperojnë këtë distancë.

Mesazhi më i fundit ka ardhur nga presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i cili ka folur nga “Mobile World Congress” që mbahet këto ditë në kryeqendrën e rajonit të Katalonjës.

Ai ka qenë i drejtpërdrejtë duke paralajmëruar Realin se Barça nuk do të dorëzohet deri në fund.

“La Liga nuk ka përfunduar. Ka dhe një duzinë me pikë në lojë dhe sigurisht që duam t’i shkojmë deri në fund. Reali dhe Girona kanë avantazhin se qëndrojnë para nesh në renditje, por kjo nuk do të thotë se nuk jemi në gjendje të mbyllim diferencën me ta. I kemi marrë më shumë pikë Gironës, por i kemi marrë pikë dhe Realit. Ndaj detyra jonë është të fitojmë të gjitha takimet tonë dhe më pas të shohim se si do të gjendemi në raport me rivalët tanë”, deklaroi Laporta.

Qëndrimi i presidentit të Barcelonës është i ngjashëm me atë të trajnerit Ksavi, i cili ka pasur një ide të ngjashme teksa foli pas suksesit të pastër kundër Getafes 4-0.

“Mendoj se jemi në kohën e duhur për të garuar për titullin në La Liga dhe në Ligën e Kampioneve”, deklaroi Ksavi të shtunën e kaluar.

Por ndryshe nga presidenti Laporta, trajneri Ksavi, u tregua disi me këmbë në tokë, duke saktësuar se jo gjithçka është në dorën e Barcelonës, pasi Reali duhet të bëjë disa gabime, teksa për Barçën gabimi është një fjalë që duhet të mos ekzistojë në fjalor deri në javën e fundit të kampionatit spanjoll.

PANORAMASPORT.AL

You may also like