TEL AVIV – Ushtria izraelite nis një valë sulmesh në Liban ​

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 14 shkurt /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite ka nisur sot një valë “të gjerë” sulmesh në territoret libaneze pasi raketat e lëshuara nga Libani goditën dje qytetin Safed në Izraelin verior.

Burimet libaneze të sigurisë thanë se të paktën dhjetë sulme ajrore izraelite goditën rajonin Iqlim al Tuffah pranë qyteteve Nabatiyeh, Chabaiyeh dhe Sawaneh. Të gjitha janë bastione të Hezbollahut.

Më herët, raportet e medias izraelite thanë se një grua u vra dje nga një sulm me raketë në qytetin Safed në Izraelin verior. Media raportoi gjithashtu se sulmi erdhi nga Libani fqinj, duke cituar kreun e shërbimit të shpëtimit Magen David Adom, Eli Bin.

Shërbimi i shpëtimit kishte raportuar më parë shtatë të plagosur si pasojë e goditjeve me raketa.

Që nga fillimi i luftës së Gazës pas masakrës së Hamasit në Izrael më 7 tetor, ka pasur konfrontime të përsëritura midis ushtrisë izraelite dhe grupeve militante si Hezbollahu në rajonin kufitar izraelito-libanez.

Që atëherë, milicia shiite e mbështetur nga Irani ka raportuar rreth 200 luftëtarë të vrarë në radhët e veta. Nga të dyja palët u vranë edhe civilë.

Dhjetëra mijëra banorë u larguan gjithashtu nga qytetet e tyre në të dy vendet. Ky është përshkallëzimi më i keq që nga lufta e dytë e Libanit në vitin 2006.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like