TEL AVIV – Izraeli: “Arrow 3” do t’i dorëzohet Gjermanisë, pavarësisht luftës në Gaza

by admin
Spread the love

BERLIN, 4 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministria izraelite e Mbrojtjes tha se ka planifikuar t’i dorëzojë Gjermanisë në kohë sistemin e avancuar të mbrojtjes raketore “Arrow 3”, pavarësisht luftës së vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

“Vendi është “plotësisht i përkushtuar” ndaj afatit të rënë dakord bashkërisht”, tha sot një punonjës i rangut të lartë i Ministrisë së Mbrojtjes izraelite.

Gjermania ka kërkuar të blejë sistemin “Arrow 3” për të forcuar mbrojtjen ajrore evropiane.

Sistemi “Arrow 3”, i cili u zhvillua nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është projektuar për të kapur raketa balistike me rreze të mesme veprimi.

Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, sistemi do t’i ofrojë Gjermanisë një mbrojtje të plotë.

Izraeli planifikon të dorëzojë baterinë e parë të sistemit të mbrojtjes raketore në Gjermani deri në fund të vitit 2025. Pjesa tjetër e sistemit do të dorëzohet në vitin 2030.

Disa nga elementët thuhet se do të instalohen përgjithmonë, ndërsa të tjerët mund të vendosen gjithashtu në një bazë celulare.

Vendimi se ku do të vendosen elementë të ndryshëm të sistemit “Arrow 3” po planifikohet bashkërisht nga Izraeli dhe Gjermania.

Dy vendet finalizuan së fundmi marrëveshjen e blerjes së sistemit, i cili vlerësohet të kushtojë rreth 3,6 miliardë dollarë.

Ministrat e mbrojtjes nga të dy vendet nënshkruan marrëveshjen fillestare të blerjes në një ceremoni në Berlin në shtator.

Në atë kohë, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se pushtimi rus i Ukrainës kishte nxjerrë në pah rëndësinë e mbrojtjes ajrore.

Ushtria izraelite vendosi me sukses sistemin e ri të mbrojtjes raketore për herë të parë në nëntor për të kapur raketat tokë-tokë pranë Detit të Kuq.

Raketat me rreze të shkurtër të lëshuara nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit nga grupet militante palestineze kapen nga sistemet e tjera të mbrojtjes raketore të Izraelit, të njohura si “Iron Dome” dhe “David’s Sling”. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like