Të krishterët ortodoksë festojnë Krishtlindjet – Shqip

by admin
Spread the love

KARVANE TË BUZMIT NËPËR SHUMË QYTETE TË VENDIT

Të krishterët ortodoksë në vend sot i fillojnë ceremonitë festive të Krishtlindjes, lindjes së Jezu Krishtit, një nga festat më të mëdha fetare. Kortezhet e fëmijëve u mbajtën në më shumë qytete, ndërsa të rriturit me lutje për fat dhe shëndet përgatiten për tubime tradicionale familjare. Autoritetet kishtare në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë që festat fetare, së bashku me Rusinë dhe Serbinë, t’i shënojnë sipas kalendarit të vjetër Julian. Kisha në Ukrainë, tre vite pas shpalljes së autoqefalisë, këtë vit për herë të parë u bashkua me shumicën e të krishterëve në botë dhe Krishtlindjet i ka festuar sipas kalendarit të ri Gregorian, më 25 dhjetor.

Mijëra fëmijë në shumicën e qyteteve në Maqedoninë e Veriut sot iu kthyen traditës, e ndërprerë nga pandemia dyvjeçare, të marrin pjesë në manifestimet e Krishtlindjeve, që sipas kalendarit të vjetër Julian, në vend shënohen më 7 janar, dy javë pas katolikëve dhe bashkësive të tjera të krishtera në botë. Në tempullin kryesor në Shkup, si dhe në kishat tjera, u organizuan lutje për fat dhe shëndet në prag të natës kur festohet lindja e Jezu Krishtit.

“…Për shumë vite, i bekojmë degët e Buzmit. Qofshi gjallë, shëndosh e të bekuar…”

Qindra banorë të qytetit të Ohrit, por edhe  turistë e ndoqën kortezhin tradicional të fëmijëve në qendër të qytetit.

Sonte dhe gjatë ditës së nesërme, sipas ritualeve të krishtera, familjet mblidhen për ta ndarë bukën në të cilën është vendosur një monedhë, e cila mendohet se do t’i sjellë fat atij që do ta gjejë. Rreth 46% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut deklarohen si pjesëtarë të Kishës Ortodokse, e cila festat fetare i shënon sipas kalendarit të vjetër si Rusia, Serbia, Bjelorusia.

Kisha Ortodokse në Ukrainë, e cila para katër viteve shpalli autoqefalinë, këtë vit për herë të parë iu bashkua shumicës së të krishterëve në botë dhe Krishtlindjet i festoi më 25 dhjetor, në vend të 7 janarit. /KlanMacedonia/

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

You may also like