Të gjithë aktorët prapa ujqërve “të harruar” të Hamasit

by admin
Spread the love

Bernard Henry-Levy

Është një 11 Shtator i zgjatur. Një Bataclan me raketa të lëshuara nga një minishtet fqinj. Është një pogrom arab, skenat e të cilit kujtojnë epokën e myftiut të madh pro-Hitleran, al-Husseini. Dhe asnjë argument në botë nuk mund ta justifikonte, relativizonte apo kontekstualizonte këtë krim. Pse?

Sepse asgjë nuk mund të justifikojë, qysh në krye të herës, rrëmbimin e zyrtarëve, ekzekutimin e pleqve dhe fëmijëve në distancë të afërt, zhveshjen e një gruaje lakuriq, fyerjen e saj, goditjen për vdekje dhe hedhjen tutje të gjakosur, si në një bastisje të kohëve të shkuara, mbi nje furgon.

Sepse asnjë rrethanë lehtësuese nuk mund të zbatohet për skuadrat e vdekjes që filmojnë veten duke sulmuar një festë rave, duke vrarë 260 të rinj dhe marrë peng të tjerët.

Sepse gjetja e justifikimeve për këtë, argumentimi që kjo barbari është një përgjigje ndaj shtypjes ose poshtërimit të mëparshëm, riprodhon një turp kaq të vjetër sa antisemitizmi, i cili gjithmonë zbret tek argumentat se, në fund të fundit, hebrenjtë janë përgjegjës për fatkeqësitë e tyre.

Por ka një arsye të dytë që ndalon të hyjmë në arsyet e këtij pogromi. Thjesht as vrasësit që hynë si ujqër në qytetet izraelite nuk kishin asnjë arsye dhe nuk u interesonte se çfarë mund të kishte thënë apo bërë kjo apo ajo qeveri izraelite.

Duke mos pasur më forcën më të vogël pushtuese në territorin e tyre për tetëmbëdhjetë vjet, ata nuk kishin pretendime territoriale për të shpallur, asnjë objektiv lufte për të kundërshtuar. Ose nëse e kishin një objektiv, nuk ishte më, po të përdoreshin fjalët e von Clausewitz-it, një objektiv i saktë, një Ziel, një fitoreje e dukshme, një gjysmë fitore, një kompromis.

Ishte një Zweck, një objektiv i paqartë dhe i padeklaruar dhe jo rastësisht, sepse ky objektiv nuk shprehte asgjë tjetër veç urrejtjes së pastër dhe të thjeshtë, idenë se armiku është i tepërt mbi këtë tokë dhe prandaj ekziston edhe vullneti për ta zhdukur atë.

Është ajo që në polemologji quhet një luftë totale.

Hamasi, edhe nëse nuk i ka mjetet e veta, u tha pasardhësve të të mbijetuarve të Holokaustit: “Nuk ka asnjë vend në tokë ku të jeni të sigurt nga trashëgimtarët e Egjiptianëve, Asirianëve, Romakëve, Mesjetës dhe më pas hitlerianëve.”

Epo kjo organizatë me të cilën deri tani diskutohej siguria, spitalet, doganat për qindra kamionë që kalojnë çdo ditë kufirin, ai Hamas me të cilin flitej, natyrisht, për një embargo, por vetëm për materialet që mund të përdoren për prodhimin e armëve të luftës, të cilat mundësuan që qindra hebrenj të masakroheshin të shtunën e kaluar, ditën e festës së Torës, duhet të ndëshkohet rëndë.

Por pikërisht: a ka arritur i vetëm Hamasi, me mjetet e tij të kufizuara, t’i shmanget vigjilencës së një prej shërbimeve më të mira të sigurisë në botë dhe të mbjellë vdekje dhe shkretim për ditë të tëra?

Mendoj për të riun Masud, afganin i cili më siguroi disa ditë më parë, në Paris, se shumë armë që amerikanët kishin lënë pas në Kabul u trafikuan nga talebanët, përmes Katarit, pastaj përmes Turqisë, pastaj nga deti, deri në Gaza.

Mendoj për takimin e organizuar më 27 korrik në Ankara midis Mahmud Abbas dhe kreut të zyrës politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, nga një Erdogan që bisedon me Izraelin në ditët çift dhe në ditët teke vendos se është një kancer.

Mendoj Sergei Lavrovin duke pritur Ismail Haniyeh me bujë të madhe në Moskë disa muaj më parë. Çfarë i thanë njëri-tjetrit? A kishte Rusia, e zhytur në luftën në Ukrainë, një interes për një front të dytë që do ta detyronte Perëndimin t’i akordonte shtetit hebre një pjesë të burimeve të çmuara ushtarake që ishin të rezervuara, në parim, për Ukrainën? Dhe çfarë merite mund t’u japim atyre që këtu, në jug të Izraelit, ku gjendem dhe unë, sigurojnë se parashutat me motorrë që vrasësit përdorën për të kaluar barrierën mbrojtëse në ditëlindjen e Putinit i ngjanin në një mënyrë pothuajse të padallueshme modelit Poisk-06 MSN, të cilin rojet kufitare ruse e përdorin shpesh?

Dhe Irani… Nga njëra anë dëgjoj Antony Blinken të thotë se ai nuk ka prova për përfshirjen e Iranit në këtë masakër… Por nga ana tjetër janë ndihmat prej 6 miliardë dollarësh të lëshuara së fundmi nga bankat e Koresë së Jugut dhe që nuk shkojnë, siç pritej, për nevoja elementare, por për blerje armësh; janë takimet e planifikimit, të cilat jam i sigurt se janë shumëfishuar muajt e fundit në Liban dhe Siri, me instruktorë iranianë që stërvisin palestinezët nga Gaza për një operacion të paprecedentë si – po e përsëris – 11 shtatori; dhe është ajo që thotë vetë Hamasi kur, nëpërmjet një prej zëdhënësve të tij, Abu Obaida, “falenderon Republikën Islamike të Iranit” që “i ka siguruar paratë, armët dhe pajisjet” që mundësuan të fillonte sulmin kundër “kalasë sioniste”.

Rreth “të harruarve” të Hamasit ka jo pak njerëz.

Ka jo pak sponsorizues për një aksion që nuk kishin as mjetet ushtarake dhe as inteligjencën taktike për ta kryer vetë.

Dhe ka një lloj të ri koalicioni, në të cilin askush nuk e zbulon lojën e vet, por në të cilin të gjithë vëzhgojnë dhe testojnë qëndrueshmërinë e përgjigjes së një Izraeli të konsideruar i paprekshëm, por që duket, befas, po ul vigjilencën.

Kjo është arsyeja pse e specifikoj: Hamasi jo vetëm që duhet të ndëshkohet rëndë, por duhet të shkatërrohet.

You may also like