“Të gjejmë kush është I.M”, PS dhe PD në një mendje, miratohet ligji për hapjen e dosjeve

by admin
Spread the love

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 94 vota pro dhe 1 abstenim disa amendamente në ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit ku bëhet e mundur hapja e të gjitha dosjeve nga viti 1944 deri në 1991.

Në të njëjtën kohë, sipas këtyre amendamenteve, kandidatët për poste të larta drejtuese duhet të kalojnë sërish në sitën e Autoritetit të Dosjeve, pavarësisht se më parë mund të kenë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.

Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit pasi doli një dosje ku pretendohej se një person me iniciale I.M që dyshohet se është ish-presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

Pjesë e ndryshimeve ligjore është dhe amendamenti i depozituar nga Enkelejd Alibeaj ku i mundëson çdo personi të njihet me dokumentet e ish-sigurimit të shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit.

Kjo do të thotë sipas Alibeajt, hapje e plotë e të gjitha dosjeve. Dosjet e ish-sigurimit të shtetit kthyen në kuvend Lulzim Bashën, ndërsa Sali Berisha, deputet mbështetës të tij dhe deputetët e Partisë së Lirisë nuk morën pjesë në votim. Në fjalën e tij përpara votimit Edi Rama nuk kurseu akuzat dhe ironitë për Ilir Metën dhe Sali Berishën.

“Dëshiron ti ta dish kush është shtetasi I.M, mbase është ai ose mbase nuk është ai. Të çlirohemi të gjithë nëse shtetasi I.M nuk është ai që të gjithë i shkon mendja. Pse nuk vjen këtu Partia e Lirisë dhe Liria e Partisë këtu? Sepse nuk e kanë dashur kurrë hapjen e dosjeve sepse kanë dashur që sa më shumë hije të vijnë vërdallë”, theksoi Rama.

You may also like