Takim i liderëve të vendeve të Procesit Bërdo-Brioni

by admin
Spread the love

Presidenti Stevo Pendarovski sot në Shkup do të jetë nikoqir i takimit të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni.

Në takim, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq dhe presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, në rolin e bashkënikoqirëve, si dhe presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq dhe anëtarët e presidencës së Bosnja e Hercegovinës: Zhelko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq.

Në fokusin e takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup janë integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve.

Udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, siç është paralajmëruar, do të kenë një takim plenar, i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për media e Pendarovskit, Pirc-Musarit dhe Millanoviqit.

Procesi Bërdo-Brioni u mbajt për herë të parë në vitin 2013 me iniciativën e përbashkët të presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë, në Bërdo të Kranjës.

Qëllimi kryesor i procesit është integrimi i plotë i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Udhëheqësit e vendeve të Procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.

Në takimin e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, që do të mbahet në hotelin “Hilton” në Shkup, janë akredituar 125 përfaqësues të mediave, 72 nga vendi ynë dhe 53 nga jashtë.

MARKETING




You may also like