Synimi i fundit i Putinit – ndarja e Ukrainës dhe instalimi i një qeverie të kontrolluar

by admin
Spread the love

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia duket se do të vijojë me marrjen e Kievit dhe krijimin e një korridori tokësor në jug drejt Detit të Zi, duke e ndarë vendin në dysh, sipas analistëve ushtarakë dhe ish-zyrtarëve që shprehën pikëpamjet e gjeneralëve të Ukrainës.

Presidenti Vladimir Putin mund të vazhdojë të kërkojë një formë kontrolli mbi të gjithë vendin, thanë ata, në vijim të përpjekjeve të tij për të mos lejuar ndonjëherë anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Gjithashtu, ai nuk e ka fitoren të garantuar. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes në SHBA tha të premten se Rusia po përballej me më shumë rezistencë nga ҫ’priste gjatë avancimit të saj në Kiev.

Avancimi i trupave ruse erdhi nga taktika “rrethuese”, duke sulmuar pikat më të dobëta të Ukrainës – kufirin e saj verior me Bjellorusinë dhe jugun nga Krimea, të cilën Rusia e aneksoi tetë vjet më parë me bazën e saj të madhe detare.

Kjo strategji, nëse do të jetë e suksesshme, mund t’i japë mundësi Moskës të kontrollojë Ukrainën lindore, duke përfshirë edhe vijën e saj bregdetare, ndërkohë që nga ana tjetër shndërron Ukrainën perëndimore në një shtet vasal, duke zvogëluar kështu kostot financiare që do të vinin nga një pushtim afatgjatë, thonë ekspertët për Reuters.

“Unë mendoj se tani rusët po synojnë të krijojnë një urë lidhëse tokësore deri në Moldavi,” tha Konrad Muzyka, drejtor i agjencisë së konsulencës Rochan me qendër në Poloni.

Tanket dhe forcat ruse filluan pushtimin të enjten, përmes rajoneve lindore të Kharkiv dhe Donetsk, si dhe nga jugu në Tavriya, ndërsa sulmet me raketa dhe bombardimet nga Bjellorusia erdhën drejt Kievit nga veriu, sipas ushtrisë ukrainase.

Sipas një materiali të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, të postuar në Facebook të enjten, lëvizjet ushtarake deri më tani sugjerojnë se qëllimi i Kremlinit është “të bllokojë Kievin dhe të krijojë një korridor tokësor deri në gadishullin e okupuar të Krimesë dhe në shtetin e vetëshpallur të Transnistrisë”.

Në vitin 2014, Rusia jo vetëm që pushtoi Krimenë, por mbështeti gjithashtu edhe rebelët që krijuan administrata separatiste në Donetsk dhe Luhansk, në rajonin Donbass të Ukrainës lindore ku ka një numër të madh të popullsisë rusishtfolëse.

Rusia gjithashtu ka trupa në Transnistri, një provincë e shkëputur e Moldavisë me popullsi rusishtfolëse.

Joerg Forbrig, drejtues në fondin gjerman Marshall në Berlin, tha se trupat ruse mund të “përpiqen të marrin kontrollin e një pjese shumë të madhe të Ukrainës, e cila do të përfshinte ato zona që do të krijonin një korridor tokësor midis tre territoreve që kontrollhen tashmë nga rusët.

Forcat e armatosura të Ukrainës deri më tani e kanë penguar Putinin që të avancojë shpejt në Kiev. “Për sa kohë që rusët nuk kanë kontrollin e hapësirës ajrore, ata nuk do të jenë në gjendje të arrijnë depërtimin e tyre me tanqe dhe blinda në Ukrainë,” tha Jamie Shea, ish-zyrtar i NATO-s që tani është pjesë e grupit të ekspertëve Friends of Europe.

You may also like