Sulmi në sinagogën e Parisit, dënohet pas 42 vitesh akademiku

by admin
Spread the love

Më shumë se 42 vjet pas sulmit vdekjeprurës në një sinagogë në Paris, një gjykatë e këtij qyteti dënoi një akademik libanezo-kanadez për kryerjen e sulmit.

Gjykatësit konstatuan se Hassan Diab, 69 vjeç, ishte i riu që vendosi bombën në motoçikletë pranë sinagogës Rue Copernic, më 3 tetor të vitit 1980.

Katër persona u vranë dhe 38 të tjerë u plagosën në sulm. Diab refuzoi të merrte pjesë në gjyq, por gjyqtarët e dënuan atë me burgim të përjetshëm.

Sulmi në sinagogën Rue Copernic ishte i pari që kishte në shënjestër hebrenjtë në Francë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Diab, libanez me origjinë palestineze, i cili mori shtetësinë kanadeze në vitin 1993 dhe ligjëron lëndën e Sociologjisë në Otavë, u identifikua për herë të parë si i dyshuar në vitin 1999.

Tetë vjet më vonë, francezët lëshuan një urdhër arresti ndërkombëtar për të dhe në vitin 2014 Kanadaja pranoi ta ekstradojë.

Në vitin 2018, megjithatë, gjyqtarët francezë e shpallën rastin të mbyllur, për shkak të mungesës së provave, duke e lejuar Diabin që të kthehej në Kanada.

Në vitin 2021, pastaj, Gjykata e Lartë në Paris miratoi apelin kundër mbylljes së rastit – gjë që i hapi rrugë gjyqit që nisi në fillim të këtij muaji.

Diabi vazhdimisht ka mohuar fajësinë dhe nuk është kthyer në Francë për gjyqin, që është zhvilluar në mungesë të tij. Dënimi i tij nënkupton që Franca duhet të bëjë tani një kërkesë tjetër për ekstradim.


Top Channel

You may also like