SLLOVAKI – Rriten protestat antiqeveritare kundër reformës gjyqësore të Ficos

by admin
Spread the love

BRATISLAVË, 2 shkurt /ATSH-DPA/ – Mijëra persona demonstruan sërish dje në mbrëmje, në Sllovaki kundër qeverisë së kryeministrit populist të krahut të majtë Robert Fico, i cili ka qenë në detyrë që nga fundi i tetorit.

Organizatorët thanë se vetëm në Bratislavë u mblodhën rreth 30 000 protestues.

Thirrjes së tre partive opozitare në 30 qytete të tjera anembanë vendit iu përgjigjën edhe disa mijëra njerëz.

Nëse shifrat janë të sakta, kjo do ta bënte protestën e djeshme ndoshta më të madhen deri më tani në valën e protestave të opozitës që nisën në dhjetor.

“Protesta më të vogla solidariteti u mbajtën gjithashtu në Bruksel, Pragë, Paris dhe qytete të tjera evropiane”, sipas agjencisë së lajmeve TASR.

Demonstratat, të organizuara nga dy parti liberale dhe një parti opozitare konservatore, u drejtuan kryesisht kundër një reforme të planifikuar gjyqësore që po diskutohet aktualisht në parlamentin në Bratislavë.

Një nga elementët më të diskutueshëm të reformës është heqja e planifikuar e zyrës së prokurorisë speciale USP, e cila është përgjegjëse për krimin e organizuar dhe krimet politike.

Kabineti tripalësh i drejtuar nga Fico kërkon të shkrijë organin e prokurorisë, sipas të cilit është shumë i “politizuar”.

Opozita paralajmëroi për një kërcënim ndaj sundimit të ligjit duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të mbulojë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë nga qeveritë e mëparshme të partisë Fico deri në vitin 2020, kur ai ishte për herë të fundit në detyrë.

Plani është kritikuar nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like