Sjellja e Berishës në Kuvend, Alibeaj me tone të forta: Duhet shkulur me rrënjë kjo rracë politikanësh

by admin
Spread the love

Kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj, me anë të një statusi në rrjetet sociale ka reaguar sërish lidhur me atë që ndodhi në seancën e sotme në Kuvend. Alibeaj shprehet se pavarësisht se mocioni ishte për Integrimin, nisi me një sherr të madh mes mazhorancës dhe deputetëve mbështetës të Sali Berisha. Mes të tjerash Alibeaj shkruan se skenat ishin banale të një politike të lodhur.

Deputeti demokrat shkruan se vetëm shkulja me rrënjë e kësaj “race politikanësh të zhurmshëm, bejtexhinj, të korruptuar dhe hakmarrës primitivë, që kanë përdorur çdo formë dhe çdo mjet për të marrë dhe qëndruar në pushtet, mund të sjellë ndryshimin e madh për të cilët shqiptarët kanë sot nevojë më shumë se kurrë”.

Deklarata e Alibeajt:

“Sot në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua seanca për mocionin në debat lidhur me Procesin e Integrimit në Bashkimin Europian. Një mocion i kërkuar nga unë, si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe i zvarritur nga mazhoranca në zyrat e drejtueses së Kuvendit prej javësh. Nisur nga vlerësimet kritike të raportit të fundit të BE-së dhe ngecjen e këtij procesi që ka si pergjegjës Kryeministrin dhe Qeverinë e drejtuar prej tij, prisja që sot të diskutonim apo edhe debatonim për arsyet e vërteta që e kanë lënë Shqipërinë kaq mbrapa në këtë proces jetik. Por seanca nisi si një sherrnajë, skenë e parë mijra herë nga shqiptarët ku shkaktarët e vërtetë dhe ata që zhurmojnë, ia dalin të tërheqin vëmendjen nga debati, për ti lënë vendin skenave banale të politikës së lodhur të tranzicionit.

Me keqardhje vërej se jo vetëm akuzat, por dhe fjalori mes dy palëve që japin shfaqjen e radhës duke u “ndeshur” në parlament, është shumë e ngjashme. Sikundër po me keqardhje, konstatoj se thelbi i debatit, ai i analizës së arsyeve që na kanë lënë peng në procesin e integrimit merr formën e shëmtuar të akuzave dhe kundër akuzave të atyre që janë përgjegjësit e vërtetë të këtij tranzioni që po mban peng Shqipërinë dhe shqiptarët.

Perballë çdo qytetari shqiptar sot qëndron një regjim i korruptuar, me rrënjë të thella në çdo institucion shtetëror, përfshirë edhe ata që në dukje janë të pavarur. Një sistem që ka në dorë gjithçka që lidhet me mirëqënien e shqiptarëve dhe që punon veç për interesat e klientëve dhe oligarkëve. Unë jam i bindur se ky sistem shkatërrohet veç me nje alternativë të qartë e të pastër: të papërlyer me lojrat dhe marrëveshjet okulte të politikës së vjetër që përmes të sharave dhe banalitetit mbajnë në skenë njëri-tjetrin. Vetëm shkulja me rrënjë e kësaj rrace politikanësh të zhurmshëm, bejtexhinj, të korruptuar dhe hakmarrës primitivë, që kanë përdorur çdo formë dhe çdo mjet për të marrë dhe qëndruar në pushtet, mund të sjellë ndryshimin e madh për të cilët shqiptarët kanë sot nevojë më shumë se kurrë.

Kjo nuk është utopia e deputeteve të PD-së që kërkojnë të ndryshojnë këtë sistem të korruptuar. Kjo është dëshira dhe kërkesa e çdo qytetari të ndershëm që ndihet i fyer dhe i poshtëruar nga ata që duhet të punojnë për ti siguruar një jetë më të mirë. Është kërkesa urgjente për një vend që po shpopullohet çdo ditë nga varfëria, korrupsioni, por edhe nga mungesa e shpresës se një ditë mund të bëhet më mirë. Dhe për të risjellë këtë shpresë duhet forcë, guxim dhe moral për tu përballur me ata që janë shkaktarët e vërtetë të mjerimit të sotëm! Ne duhet dhe do ta bëjmë këtë për shqiptarët.”-tha Alibeaj.

You may also like