Situata te Juventusi: Konfirmohet dëmtimi i Bremer, Pogba e Chiesa japin sinjale pozitive

by admin
Spread the love

Dëmtimet në kampin e Juventusit e kanë komplikuar jo pak këtë start sezoni. Pogba, Chiesa, por edhe Di Maria në shumicën e kohës kanë qenë emra të rëndësishëm që Max Allegri nuk ka pasur mundësi t’i shfrytëzojë midis kampionatit dhe Champions League.

I fundit që i është shtuar listës së të dëmtuarve është mbrojtësi Gleison Bremer. Ky i fundit ka pësuar një dëmtim në sfidën e fundit ndaj Torinos në derbi. Nga vizitat e kryera është konfirmuar dëmtimi për Bremer që do të mungojë rreth 20 ditë për bardhezinjtë.

Por nëse për Bremer ka lajme të këqija, dritë në fund të tunelit shihet për Pogba dhe Chiesa. Mesfushori francez është rikthyer të stërvitet me grupin dhe mjekët po përpiqen ta integrojnë sa më parë, edhe pse rikthimi i tij në fushën e lojës duket ende pak larg.

Chiesa po stërvitet gjithashtu me grupin pas dëmtimit që pësoi në ligamente që e ka mbajtur larg për një kohë shumë të gjatë. Sulmuesi italian po përpiqet të gjejë ritmin dhe te Juventusi kanë menduar të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore në mënyrë që Chiesa të jetë gati sa më parë. /oversport.tv

You may also like