Situata mbetet e vështirë, ujërat e përmbytjeve në rritje në rajonin grek të Farkadona (fotot)

by admin
Spread the love

Niveli i ujit të përmbytjeve mbetej sot në rritje në qytezën greke të Farkadona, në rajonin qendror të Thesalisë, pas reshjeve të rënda të stuhive.

“Pajisjet dhe shtëpia ime janë shkatërruar, arrita të marr vetëm celularin dhe paratë që kisha”, thotë banori vendas Sotiris.

Grupet greke të shpëtimit po përdorin zhytësa, barka e helikopterë për të arritur fshatrat e veçuara teksa numri i viktimave të stuhisë së rendë arriti në gjashtë.

Zjarrfikësit njoftuan se kishin gjetur trupat e dy grave të moshuara, si dhe atë të një bariu që ishte marrë nga ujërat e përmbytjes.

Shërbimet e ndihmës dhe ushtria po ndihmojnë banorë të bllokuar, ndërsa evakuime u bënë në disa fshatra prej dëmtimit të një dige nga përmbytjet, sipas autoriteteve.

Stuhi të rënda kanë goditur Greqinë, Turqinë e Bullgarinë pas periudhës së të nxehtit dhe zjarreve.

Shirat e nisur prej të hënës në Greqi kanë goditur rajonin qendror të Thessalisë, 300 kilometra në veri të Athinës, qytetin port të Volos, dhe qytezat e Karditsa e Tikala.

Operacionet u vështirësuan nga dëmtimi i një dige mes Trikala e Karditsa, në një degë të lumit Pinios.

Përveç viktimave vendase, zyrtarët në Austri thanë se kanë dy qytetarë të humbur në zonë.

Fusha e Thessalisë, më e madhja në Greqi është kthyer në një liqen, thanë rezidentët, duke shtuar se misrat që janë gati dy metra të lartë, mezi dukeshin.